Kolegji AAB pjesë aktive në ditën e tretë të Forumit të EUA në Lisbonë

16 Shkurt 2026

Në kuadër të Forumit të organizuar nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane (European
University Association), punimet u zhvilluan në ambientet e Universidade Católica Portuguesa
në Lisbonë, Portugali.


Sesioni plenar “Exploring the what, why and how of educational transformation” mblodhi
drejtues universitarë dhe ekspertë të arsimit të lartë për të reflektuar mbi transformimin
arsimor, baraspeshën ndërmjet inovacionit dhe misionit thelbësor të universiteteve, si dhe mbi
vlerën reale që ndryshimi duhet t’u sjellë studentëve dhe shoqërisë.
Gjatë sesioneve paralele, u trajtuan tema kyçe si angazhimi i stafit akademik, ndërtimi i
komuniteteve të të nxënit, matja e ndikimit të zhvillimit profesional, inteligjenca artificiale në
mësimdhënie, lidershipi arsimor dhe bashkëpunimi ndërinstitucional në hapësirën evropiane të
arsimit të lartë.


Një nga momentet më të rëndësishme për Kolegjin AAB ishte sesioni interaktiv i Thematic Peer
Group me temë “Staff development and transnational collaboration”, ku AAB ishte pjesë
aktive si në fazën përgatitore ashtu edhe në zhvillimin dhe prezantimin e kornizës së zhvilluar
nga grupi.


Sesioni u organizua nga anëtarët e grupit tematik me përfaqësues ndërkombëtarë, ndërsa
kontribut të drejtpërdrejtë dhanë pro-rektorja Venera Llunji dhe zyrtarja për zhvillim të
projekteve, Erëza Mehmeti, të cilat prezantuan punën, eksperiencën dhe elementët kyç të
kornizës praktike për zhvillimin e stafit në funksion të bashkëpunimit ndërkombëtar. Përmes
një qasjeje interaktive dhe ushtrimeve bashkëpunuese të quajtur “Escape Room”, pjesëmarrësit analizuan faktorët institucionalë që mundësojnë angazhim të qëndrueshëm dhe efektiv përtej kufijve kombëtarë.


Prania dhe pjesëmarrja aktive e Rektorit të Kolegjit AAB, Dr.Sc. Blerim Olluri-t, në sesionet
punuese të kësaj dite konfirmoi angazhimin institucional të AAB-së për transformim të
qëndrueshëm arsimor, zhvillim të stafit akademik dhe forcim të partneriteteve transnacionale.
Pjesëmarrja e Kolegjit AAB në këtë forum prestigjioz dëshmon rolin e tij si kontribues aktiv në
debatet evropiane për të ardhmen e arsimit të lartë dhe përkushtimin e tij për të qenë pjesë e
proceseve që formësojnë transformimin akademik në nivel ndërkombëtar.

Share: