Biblioteka e Kolegjit AAB përmes një organizimi ka shënuar Ditën Botërore të Librit, ndërsa ndau edhe çmimin “Masar Stavileci” për tre studentët që kanë lexuar më së shumti tituj nga kjo bibliotekë dhe kanë frekuentuar hapësirat e saj. Zv/rektori i Kolegjit AAB, Shemsedin Vehapi, përshëndeti këtë organizim, duke shtuar se kjo tregon rëndësinë që ky institucion ndan për përfshirjen e studentëve dhe vlerësimin e angazhimit të tyre, ndërsa tha se roli i librit vazhdon të jetë tejet efikas për ruajtjen dhe shpërndarjen e njohurive.
Drejtori i bibliotekës së Kolegjit AAB, Urim Sallauka, ndau çmimin “Masar Stavileci” bashkë me Dekanin e Fakultetit të Administratës Publike Petrit Bushi, si dhe Dekanin e Fakultetit të Psikologjisë Naim Telaku, për tre studentët më aktiv si në leximin e librave nga kjo bibliotekë ashtu edhe në shfrytëzimin e saj për mësim.
Tre studentet që morën këtë çmim ishin: Fjolla Cikaqi dhe Djellza Ibrahimi nga Fakulteti i Administratës Publike, si dhe Gresa Hoxha studente e nivelit master në Fakultetin e Psikologjisë.