Kolegji AAB shënon Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit

23 Prill 2020

Me rastin e 23 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit, Kolegji AAB ndonëse në kushte jo të zakonshme shënoi këtë ditë përmes një transmetimi direkt me studentë. Në këtë diskutim online u bashkëbisedua me profesorët dhe shkrimtarët: z. Rrahman Paçarizi dhe znj. Ilire Zajmi- Rugova, si dhe Drejtorin e Bibliotekës së Kolegjit AAB, z. Urim Sallauka.

Ata folën për rëndësinë e librit dhe vetëdijshmërinë e mirëmenaxhimit të kohës duke shfrytëzuar librin sidomos në këtë periudhë izolimi. Nje çështje tjetër me rëndësi që u diskutua ishte edhe respektimi i të drejtave të autorit në Kosovë.
“Lirinë e humbur e gjejmë tek librat, aty jetojmë dhe bashkëjetojmë me personazhet dhe rrëfimet që i lexojmë, kështu kujtoj se është një situatë ideale që ne t’ i kthehemi vetes, leximit dhe librave. Një çështje tjetër ka të bëjë me të drejtat e autorit, e që tek ne nuk respektohet, nuk çmohet dhe duhet përmendur faktin që shumica e atyre që botojnë libra, botojnë libra sepse e duan librin, sepse jetojnë me shkrimin dhe nuk di ndonjë autor në Kosovë që e ka bërë këtë për përfitime”, tha ndër të tjera znj. Ilire Zajmi-Rugova.

Ndërsa, z. Paçarizi foli më shumë rreth menaxhimit të librit dhe mosdepërtimin e autorëve shqiptarë jashtë kufinjve.
“Edhe libri si gjithçka tjetër duhet të menaxhohet, domethënë një libër kur botohet duhet të ketë një infrastrukturë përcjellëse dhe ajo infrastrukturë para së gjithash përbëhet nga mediat, të cilat duhet ta promovojnë librin. Menaxhim tjetër është ekzistenca e një kritike letrare të mirëfilltë dhe sistematike, e cila do t’ i udhëzonte lexuesit se çka të lexohet, lidhur me vlerat e një libri të caktuar. Sa i përket Kosovës, libri tek ne qarkullon brenda një qarku të mbyllur, shumë pak libra depërtojnë jashtë vendit përveç atyre që kanë mbërri me u përkthy apo janë botuar direkt në gjuhë tjera”, u shpreh z. Paçarizi.

Poashtu, gjatë këtij diskutimi Drejtori i Biblotekës së Kolegjit AAB, z. Urim Sallauka shpalli fituesit e Çmimit “Masar Stavileci” për lexuesit-studentë më të devotshëm të biblotekës. Ai theksoi se studentët e Kolegjit AAB janë shumë të afërt me librin dhe e shfrytëzojnë një pjesë bukur të kohës në ambientet e biblotekës.
Vlen të theksohet se Bibloteka elektronike e Kolegjit AAB edhe gjatë periudhës së izolimit po ofron qasje në literaturën dhe revistat ndërkombëtare në mënyrë që studentët të jenë afër librave në çdo kohë.

Share: