PËRFAQËSUES NGA KOLEGJI AAB PJESËMARRËS NË TRAJNIMIN NDËRKOMBËTAR TË TRAJNERËVE NË DANIMARKË

5 Nëntor 2025

Në Vejle të Danimarkës u zhvillua aktiviteti Training of Trainers (ToT) në kuadër të projektit WB-Edu4Migration, i financuar nga programi Erasmus+ i Komisionit Evropian, ku Kolegji AAB i përfaqësuar nga Koordinatori i Projektit Prof. Ardian Sallauka dhe Profesori i Fakultetit të Shkencave Sociale Pof. Jeton Brajshori mori pjesë si koordinator kryesor i projektit.

Qëllimi i trajnimit

Ky trajnim synoi forcimin e aftësive pedagogjike të stafit akademik dhe profesionistëve të punës sociale që punojnë me migrantë dhe refugjatë, duke ofruar metoda të reja mësimdhënieje për integrimin e tyre në shoqëri.

Përmbajtja dhe metodologjitë e trajnimit

Gjatë tre ditëve të trajnimit, partnerët e projektit u angazhuan në sesione interaktive mbi mësimin e bazuar në probleme (Problem-Based Learning), pyetjet sokratike dhe debatet, si dhe didaktikën e bazuar në skenarë, nën udhëheqjen e ekspertëve të UCL University College.

Në ditën e fundit, studentë e semestrit të gjashtë të programit të Punës Sociale në UCL iu bashkuan trajnimit për të testuar në praktikë metodologjitë e reja. Aktiviteti u mbyll me ligjëratën frymëzuese të znj. Razan Haugaard, e cila ndau historinë e saj personale si refugjate nga Kurdistani (Iraku) dhe rolin jetik të punës sociale në procesin e integrimit.

Trajnimi u përmbyll me një darkë miqësore dhe shkëmbim kulturor mes pjesëmarrësve, duke forcuar lidhjet ndërinstitucionale dhe frymën bashkëpunuese të projektit.

Roli i Kolegjit AAB

Përmes këtij aktiviteti, Kolegji AAB riafirmoi rolin e tij udhëheqës në zhvillimin e strategjive arsimore që mbështesin integrimin e migrantëve dhe refugjatëve dhe përmirësimin e praktikave bashkëkohore në arsimin e punës sociale.

Share: