Mbrëmë në teatrin “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB në bashkëpunim me Ambasadën e Francës u mbajt koncert/recital përkujtimor në dhjetë vjetorin e vdekjes së poetit tonë të njohur, Ali Podrimja.
Mbrëmjen e hapi Venera Llunji, prorektore për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe bashkëpunim bashkë me atasheun për kulturë në Ambasadën e Francës, z. Donato Giulianni.
Pjesëmarrës ishin përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, përfaqësues të ambasadës së Francës si dhe personeli dhe studentët e Kolegjit AAB. Të pranishmit e ndoqën me vëmendje koncertin dhe recitalin e përgatitur nga poetja dhe pianistja e njohur parisiene znj. Laure Cambau dhe poetja dhe profesoresha, znj. Ilire Zajmi.
Laure Cambau njihet për shkrimet e saj poetike dhe muzikën e saj në koncerte të ndryshme dhe në përcjellje të këngëtarëve të operas. Libri i fundit me poezi i autores Cambau është “Grand Motel du Biotope”, i botuar në vitin 2020, duke mos harruar librin tjetër me poezi “Blanc sans blanc” botuar në vitin 2016 e të përkthyer edhe në gjuhën shqipe me titull “E bardha pa të bardhë”. Pianistja dhe poetja Cambau ka nxjerrë në vitin 2010 edhe CD e koncertit të saj.
Të dy poetet, nën tinguj melankolik të pianos, lexuan vargje të poezive të poetit Ali Podrimja në të dy gjuhët duke krijuar kështu një atmosferë sa të melankolike ashtu edhe të bukur.