Kontribut për komunitetin: Studenti i AAB-së, Delvin Krasniqi krijon platformë digjitale për QKMF

26 Qershor 2020

Kontribut për komunitetin: Studenti i AAB-së, Delvin Krasniqi krijon platformë digjitale për QKMF

Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme të Kolegjit AAB që shkojnë në favor të komunitetit dhe shoqërisë, dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me institucione të ndryshme publike e jopublike, AAB ka krijuar një platformë digjitale për Qendrën Klinike të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

Meritat për realizimin me sukses të kësaj platforme i takojnë studentit të vitit të tretë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në AAB, Delvin Krasniqi, ndërsa do të shërbejë për menaxhimin e stafit dhe të aktiviteteve të QKMF. Përveç që aplikacioni është përfunduar në afat rekord prej 30 ditësh, Delvini ka arritur ta dizajnojë atë në mënyrë profesionale dhe përmban një seri funksionesh, të cilat janë implementuar dhe përshtatur në përpikëri me kërkesat e QKMF-së. Delvini pas prezantimit të këtij aplikacioni u shpreh i lumtur që gjatë studimeve po arrin të kontribuojë si student nga fusha që ka zgjedhur për zhvillim profesional.

“Është kënaqësi kur pjesën teorike dhe praktike që e fiton gjatë studimeve në AAB, arrin ta tregosh dhe implementosh suksesshëm. Ndihem shumë mirë që pas një pune intensive në koordinim me profesoreshën time, Valdete Daku finalizuam këtë aplikacion i cili përmban funksione të shumta dhe do t’ ua lehtësojë punën QKMF-së”, tha ndër të tjera Delvini.

Ndërsa, Drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Dr.Spec. Rrezart Halili tha se të bashkëpunosh me Kolegjin AAB është gjithmonë nder dhe kënaqësi.
“Ne e kemi pasur të nevojshme një aplikacion të tillë për QKMF-në dhe ky që na u prezantua sot tejkalon edhe pritshmërinë tonë. Ndjehemi shumë mirë që mund të bashkëpunojmë me një institucion serioz siç është Kolegji AAB dhe suksesi më pas e dijmë që është i padiskutueshëm”, tha z. Halili.

Puna praktike e studentëve të Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB është një ndër komponentët kryesorë të këtij fakulteti, pasi që kjo u mundëson studentëve që mësimet teorike të marra gjatë vitit akademik t’ i realizojnë edhe në praktikë.

Share: