Krijohet printeri 3D nga studentët e Shkencave Kompjuterike në AAB

8 Prill 2016

Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike kanë krijuar printerin 3D, i cili tashmë është i gatshëm për printim tredimenzional të figurave të ndryshme, të cilat paraprakisht do të dizajnohen dhe modelohen.

“Projekti për krijimin e printerit 3D ka filluar më herët, sepse idea ishte që të mos merret i gatshëm por të porositen të gjitha pjesët përbërëse të tij dhe i njëjti të krijohet nga studentët e këtij fakulteti”, ka thënë dekanja Blerta Prevalla, duke shtuar se “në rajon ka shumë pak institucione që kanë printer të tillë, i cili është shumë praktik dhe gjenë aplikim në shumë fusha të ndryshme”.

Ndërkaq, prof. Ermir Rogova ka thënë se ky projekt është tejet i rëndësishëm, sepse studentët tanë kanë krijuar vet diçka, që jam i sigurt se në asnjërën prej universiteteve në rajon nuk e kanë, madje edhe nëse e kanë, nuk e kanë të krijuar nga stafi apo studentët.

Studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Kolegjit AAB, për realizmin e pjesës praktike i kanë laboratorët kompjuterikë të kompletuar, përkatësisht  laboratorin hardverik, të cilit përveç pllakave Arduino dhe robotëve NAO iu shtua edhe printeri 3D.

Ky printeri 3D, do t’u shërbej të gjithë studentëve aktualë si dhe brezave të ardhshëm që do të regjistrohen në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, për të provuar aftësitë e tyre në dizajnim dhe modelim të formave dhe strukturave të ndryshme tredimensionale.

Pjesa tjetër e studentëve do të kenë mundësi të punojnë në krijimin e softverëve për printer 3D, dhe krijim të modeleve 3D.

Projekti i krijimit të prinerit 3D është realizuar nën mbikëqyrjen e dekanes Blerta Prevalla dhe profesorit Ermir Rogova.

Share: