Studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB të vitit të dytë dhe tretë sot ishin pjesë e ligjëratës që u mbajt nga kryeshefi ekzekutiv i Komisionit të Pavarur të Mediave Faruk Rexhaj. Tema e kësaj ligjërate ishte “Misioni, roli dhe përgjegjësitë e KPM”, ndërsa studentët të cilët janë rrugës për t’u bërë gazetarë të rinj patën interesim të madh për punën e këtij komisioni. Rexhaj tregoi në detaje strukturën organizative të komisionit, departamentet dhe mënyrën e të funksionuarit. Ai gjithashtu tha se secili qytetar që dëshiron të bëjë ankesë dhe parasheh se janë shkelur rregullat etike nga ana e mediave mund ta parashtrojë në faqen e komisionit, e cila më pas do shqyrtohet dhe do ofrohet një përgjigje.
Studentët të cilët ishin në numër të madh patën pyetje të ndryshme për Rexhajn, rreth nismave që ekzistojnë për mediat online dhe përmbajtjen e tyre, përvojat që ka me mosrespektimin e rregullave nga mediat, gjobat që iu vendosin në përputhje me shkeljet që bëjnë, kufizimet që duhen pasur parasysh nga mediat etj.