Kryesia e Unionit të Studentëve të Republikës së Kosovës vizitoi Kolegjin AAB

28 Shtator 2016

Kryesia e Unionit të Studentëve të Republikës së Kosovës (USRK ), sot e vizitoi Kolegjin AAB, ku u takuan me rektorin e këtij institucioni, prof. dr. Lulzim Tafa, dhe nënkryetaren e kësaj organizate Krenare Çerkini, e cila është studente e Fakultetit të Gjuhës Angleze të Kolegjit AAB.

Rektori Tafa para studentëve vuri në dukje rëndësinë e vizitave të ndërsjella, të cilat kanë për qëllim bashkëpunimin sa më të mirë midis studentëve. Ai e vlerësoi lartë vizitën dhe iu premtoi mbështetjen jo vetëm kësaj organizate, por të gjithë studentëve të të gjitha institucioneve, nga Kolegji AAB.

“Kërkoj nga ju si organizatë që të punoni sa më shumë në promovimin e barazisë dhe mosdiskriminim e studentëve, sepse institucionet e arsimit të lartë nuk dallojnë nga misionet e tyre, kanë një mision të përbashkët, por dallojnë vetëm për nga mënyra e financimit”, tha rektori Tafa.  Ai tha se programet tona janë në hap me tregun e punës dhe sot mbi 78% e studentëve të diplomuar nga Kolegji AAB janë të punësuar.

Ndërsa, kryetari USRK, z. Arben Mehmeti, e prezantoi një historik të shkurtër të kësaj organizate, rreth bashkëpunimit me të gjitha universitetet dhe kolegjet private, si dhe strategjinë e punës, të cilat kanë për synim përcjelljen dhe implementimin e trendeve më bashkëkohore në arsimin e lartë dhe largimin e barrierave rreth diskriminimit të studentëve.

“Ne jemi të nderuar që sot gjendemi në njërin prej kolegjeve më të mëdha në Kosovë. Është shumë kënaqësi kur sheh njeriu këto të arritura në arsimin e lartë në vend, është mirë që edhe universitetet publike të krijojnë ambiente të tilla për mbajtjen e mësimit dhe praktikës”, tha kryetari i USRK-së, z. Mehmeti.

Ndërsa, nënkryetarja Krenare Çerkini ka thënë se ndihem e privilegjuar që pata rastin t’i njoftoj kolegët e mi me Kolegjin AAB dhe i jemi shumë falënderues rektorit Tafa për pritjen e mrekullueshme që na bëri, sot duke na ofruar mbështetjen maksimale drejt fuqizimit të këtij organi studentor.

Kryesia vizitoi edhe të gjitha objekte e Kolegjit AAB, dhe u ndanë të kënaqur më të arriturat që ka ky institucion.

Unioni i Studentëve të Republikës së Kosovës (USRK), është organ studentor në Kosovë, i cili ka për qëllim ndërkombëtarizimin dhe promovimin e Kosovës jashtë vendit.

Share: