Kryetari i Komunës së Ferizajt: Asociacioni është obligim, por të bëhet në harmoni me ligjin dhe Kushtetutën

4 Prill 2018

Seria e debateve për qeverisjen lokale në komunat e Kosovës, ka vazhduar sot me kryetarin e  Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, në kampusin e Kolegjit AAB në Ferizaj.

Në bashkëbisedimin e sotëm me studentët e Kolegjit AAB, kryetari Aliu para studentëve foli për Ligjin për Vetqeverisjen Lokale, me theks të veçantë se si ky ligj zbatohet në Komunën e Ferizajt, për kompetencat e kryetarit dhe Kuvendit Komunal, pastaj foli për buxhetin, administratën, për projektet kapitale, arsimin e shëndetësinë, si dhe për tema të tjera që kanë të bëjnë me qeverisjen në komunën që ai drejton. 

Duke folur për zhvillimet aktuale politike, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, deklaroi se çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është nënshkruar moti pasi që është obligim i Pavarësisë së 17 Shkurtit dhe sigurisht se do të bëhet, por vazhdoi ai, detyra e politikës është që kjo të bëhet në harmoni me ligjin dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ai tha para studentëve se kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa e kishte nënshkruar një dokument për Asociacionin që u vërtetua se ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, e që ky gabim, sipas kryetarit Aliu, ishte gabim i ekspertëve e jo i ish-kryeministrit.

“Çfarë kanë bërë ata ekspertë, kur kanë shkruar atje, i kanë thënë kryeministrit Isa Mustafa të nënshkruajë një marrëveshje të Asociacionit e cila ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Çfarë do bëja unë po të isha kryeministër? Të gjithë atyre zyrtarëve u kisha thënë t’ i gëzoni këto mëditje, por ju jeni të suspenduar”, sepse detyra e tyre nuk ka përfunduar me sukses. Ata kanë lejuar që kryeministri i Republikës së Kosovës të nënshkruajë diçka që ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën. Po mirë që ai dokument u dorëzua pastaj në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit pastaj i përcaktoi vijat ku nuk guxon të preket apo të cënohet”, tregoi kryetari Aliu.

Ai tha se Asociacioni është obligim i Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndërsa, me rëndësi është që politika të jetë e kujdesshme që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet në fuqi.

Në pjesën e fundit të kësaj ligjërate u zhvillua edhe një debat, ku studentët e Kolegjit AB parashtruan pyetje të ndryshme, të cialve iu përgjigj kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

Kryetari Aliu, në këtë ligjëratë, i këshilli studentët që sa më shumë ta duan punën, por ta duan edhe vendin dhe u premtoi se Komuna e Ferizajt do t’ i mbështesë me të gjitha mundësitë që ka si në rrafshin e studimeve, të punësimit apo edhe të ndihmave të tjera që komuna ka në programin e saj qeverisës.

Share: