Kryetari i Komunës së Kaçanikut mbajti ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB në Ferizaj

13 Nëntor 2018

Në kuadër të serisë së debateve me kryetarë komunash të organizuar nga Fakulteti i Admininistratës Publike, sot në një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB në Ferizaj ishte kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi.

Duke bashkëbisedur më studentët për të arriturat e komunës së Kaçanikut, Ilazi tha se komuna që ai udhëheq është njëra ndër komunat më efikase sa i përket shërbimeve administrative dhe se qytetarët janë të kënaqur me këto shërbime.  

“Edhe pse është komunë e vogël, jemi ndër komunat e para që kemi shërbime më efikase, këtë nuk po e them tani që jam në mandatin tim si kryetar, por, këtë e kam gjetur edhe kur kam ardhur si kryetar i ri i komunës. Këto shërbime cilësore do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”, tha kryetari Ilazi.

Duke folur për fushën e arsimit në komunën e Kaçanikut, kryetari Ilazi tha se rregullimi i infrastrukturës është njëri ndër hapat e ardhshëm që ai do ta ndërmarrë, sepse, sipas tij, me krijimin e kushteve të mira për studime ngritet edhe cilësia.

“Dy vitet e fundit kemi arritur të ndryshojmë diçka sa i përket infrastrukturës shkollore që është një parakusht për ngritjen e cilësisë, por, megjithatë me keqardhje më duhet të them se si komunë jemi ende mbrapa për shkak të mungesës së investimeve dhe pamundësive buxhetore të komunës së Kaçanikut”, shtoi Ilazi.

Ai gjithashtu tha se një fakt shqetësuses për këtë komunë është rënia e numrit të nxënësve në shkolla, sipas tij shkaqet kryesore të kësaj rënie janë migrimi dhe rënia e natalitetit.

“Ajo çfarë është shqetësuese për ne është rënja e numrit të nxënësve në shkolla. Unë do të marr një krahasim në mes të disa periudhave të shkurtëra, për ta kuptuar gjendjen sepse janë dy shkaktarë. Para katër vjetësh kemi pasur 8000 nxënës, ndërsa tash kemi 6500 nxënës, rënia e natalitetit si dhe ikja e qytetarëve jashtë vendit janë arsyeja”, tha ai.

Takimi me studentë i kryetarit të Kaçanikut në Kolegjin AAB përfundoi me një diskutim interaktiv, ku studentët u interesuan për çështje të ndryshme me të cilat ballafaqohet qeverisja lokale.

 

 

Share: