Ka vazhduar me kryetarin e Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, seria e debateve për qeverisjen lokale në komunat e Kosovës, organizuar nga Fakulteti i Administratës Publike në Kolegjin AAB.
Në bashkëbisedimin e sotëm me studentët, kryetari Kastrati foli për kompetencat e kryetarit dhe Kuvendit Komunal, për buxhetin, administratën, për projektet kapitale, arsimin e shëndetësinë, si dhe për tema të tjera që kanë të bëjnë me qeverisjen në komunën e Kamenicës.
Duke folur për zhvillimet aktuale në komunën që ai drejton, kryetari Kastrati tha se zhvillimi i arsimit dhe të rinjve në Komunën e Kamenicës është njëri ndër objektivat kryesore që ka ai. Ai gjithashtu shtoi se mbështetja për gjeneratat e reja nuk do të mungojë as në vazhdim.
“Ne si komunë duhet t’ u krijojmë kushte dhe t’ u japim mbështetje, ndërsa, ata do të zhvillohen më mirë se sa që ne do i orientonim. Realisht është krijuar Këshilli i Veprimit Rinor lokal dhe ka pjesëmarrje të komunitetit serb dhe atij rom, janë duke i ftuar edhe në organizime ndërkombëtare dhe lokale, dhe është njëri ndër shembujt se Kamenica merret shumë me të rinjtë. Kemi filluar investime në Shtëpinë e Kulturës, do të investojmë në qendrën rinore vitin tjetër. Ajo çfarë duhet të bëjmë ne është mbështetja e vazhdueshme e të rinjve për realizimin e qëllimeve të tyre”, tha kryetari Kastrati.
Kastrati u pyet nga studentët edhe për kalimin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje! në Partinë Social Demokrate (PSD), ndërsa ai theksoi se pa Lëvizjen Vetëvendosje nuk do të arrinte të merrte mandatin, porse qytetari përveç partisë voton edhe kandidatin, duke lënë të kuptohet se ai ka pasur mbështetjen e kamenicasve.
Si në të gjitha takimet me kryetarët e komunave, edhe sot pati debat interaktiv në mes studentëve dhe tij, duke diskutuar çështje me rëndësi për këtë nivel qeverisjeje.