Kryetari i KPM-së, Adnan Merovci: ”Jemi vonë me procesin e digjitalizimit të përmbajtjeve audio- vizuele në Kosovë”

12 Shkurt 2015

“Data e përcaktuar si e fundit 17 qershor 2015 nuk mundet të arrihet nga Kosova dhe nga shtetet fqinje, në procesin e digjitalizimit të përmbajtjeve audio-vizuale në Kosovë. Kjo, sepse në Kosovë ende nuk është miratuar Ligji për Digjitalizimin, i cili do t’ i hapte rrugë këtij procesi të rëndësishëm për kalimin e transmetimin tokësor analog në atë digjital”, kështu ka thënë para studentëve të Fakultetit të Komunikimit Masiv, kryetari i KPM-së, z. Adnan Merovci.

Megjithatë, Merovci vlerëson se KPM ka kryer punën e vet, rreth hartimit të strategjisë për digjitalizimin, dhe pavarësisht vonesave, as vendet e BE-së, të cilat e kanë përfunduar këtë proces, nuk kanë arritur që të jenë në përputhje me kohën.

Në këtë ligjëratë informuese për procesin e digjitalizimit, Merovci ka shpjeguar se strategjia për digjitalizim përcakton në mënyrë të gjithanshme procesin e kalimit të transmetimit televiziv tokësor analog në transmetim tokësor digjital. Në këtë proces janë të përfshira të gjitha palët e interesit (industria mediale, institucionet përkatëse shtetërore, shoqëria civile etj.

Z. Merovci shtoi se strategjia për digjitalizim në mënyrë të qartë përcakton drejtimet strategjike zhvillimore, obligimet dhe afatet kohore të kalimit të transmetimit tokësor analog në atë digjital, në pajtim të plotë me standardet e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU-së) dhe të Komisionit Evropian.
“Transmetimi televiziv digjital do t’iu ofrojë qytetarëve të Republikës së Kosovës cilësi më të mirë të pranimit të sinjalit televiziv, kapacitet më të madh për shumëllojshmëri të ofrimit të përmbajtjeve programore, më shumë programe televizive, shërbime të reja për përdoruesit me nevoja të veçanta dhe për të moshuarit, shërbime shtesë, pranim portativ dhe mobil (në lëvizje) të programit si dhe konvergjencën e shërbimeve mediale dhe telekomunikuese”, tha z. Merovci, duke shtuar se digjitalizimi sjell mundësi të reja për ofruesit e shërbimeve që të ofrojnë përmbajtjen e programit sipas nevojave të grupeve të caktuara të shoqërisë kosovare, ofron inter-aktivitet, ofron mundësi për shërbime sipas kërkesës dhe, mbi të gjitha, përbënë kosto më të ulët të transmetimit në përgjithësi.

Gjithashtu z. Merovci tha se publiku i gjerë do të përfitojë nga përdorimi më efikas i spektrit frekuencor, shfrytëzimi i dividendës digjitale të spektrit për implementimin teknologjik të shërbimeve të reja, promovimi i zhvillimit të teknologjisë dhe mundësive të reja krijuese nga konkurrenca e përmirësuar, mundësi për zgjerim të kreativitetit në kuptimin e ofrimit të shërbimeve si dhe ruajtjen e identitetit kulturor.

Ai numëroi të mirat që i sjelle digjitalizimi si përmirësimi i shfrytëzimit të spektrit frekuencor, përmirësim i pranimit të sinjalit, shtimi i kanaleve televizive, kostoja e transmetimit më e lirë, formati i ri i fotografisë dhe shërbime të reja,etj..Digjitalizimi nuk duhet të dëmtojë tregun dhe pluralizmin medial në Kosovë.
Strategjinë e harton KPM-ja dhe e dërgonnë qeveri për aprovim, pastaj hartohet Ligji për Digjitalizim në bazë të të cilit implemetohet digjitalizimi.

Gjithashtu,Merovci foli edhe për historiatin, menaxhmentin, rolin dhe funksionin e KPM-së, si organi më kompetent për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.
Në fund të kësaj ligjëratë u zhvillua edhe një debat, ku studentët e AAB parashtruan pyetje të cilave iu përgjigj kryetar i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Adnan Merovci.

Share: