Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ishte i ftuari i radhës në Kolegjin AAB, në kuadër të serisë së debateve për qeverisjen lokale në Kosovë.
Në këtë takim me studentët dhe stafin akademik të Kolegjit AAB, z.Haskuka ka folur për qeverisjen në Komunën e Prizrenit, miratimin e ligjeve të reja pas zgjedhjeve në këtë komunë dhe çështjet që do t’ i ndihmonin qytetarëve në zhvillimin ekonomik dhe arsimor.
Duke folur për komunën që drejton, kryetari Haskuka ka theksuar edhe çështjen e projektit të teleferikut për Kalanë e Prizrenit, njërën nga pikat kryesore të turizmit në këtë komunë. Ai ka thënë se projekti i paraqitur për teleferikun e Kalasë është propozuar edhe më herët, mirëpo është ndaluar të realizohet, sepse sipas Haskukajt, ky project do ta dëmtonte qendrën historike të Prizrenit.
“Kur e kam parë projektin, edhe gjatë fushatës e kam menduar që ta ndaloj, sepse e shkatërron qendrën historike të Prizrenit. Qendra historike e Prizrenit është e mbrojtur me dy ligje, njëri është Ligji për trashëgimi kulturore dhe tjetri është Ligji për qendrën historike të Prizrenit. Përveç këtyre dy ligjeve ka pasur edhe gjëra tjera që nuk kanë qenë në përputhje me rregulloren dhe me ligjet në fuqi dhe unë vendosa që të mos ta vazhdoj projektin”, u shpreh ai.
Haskuka ka folur edhe për problemet tjera me të cilat ballafaqohet vendi ynë, duke nënvizuar me këtë rast çështjen e korrupsionit..
“Të gjitha qeverisjet në Kosovë më shumë i kanë dhënë llogari Brukselit dhe qendrave të tjera, sesa qytetarëve të Kosovës. Për këtë shkak, ne kemi këtë shkallë të lartë të korrupsionit dhe problematikat e mëdha që i kemi edhe me gjykata dhe me këtë qeverisje”.
Në këtë ligjëratë, kryetari prizrenas foli edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ku tha se është e papranueshme si për të, ashtu edhe për partinë politike së cilës i përket, Lëvizjes Vetëvendosje, që ky Asociacion të bëhet sipas kërkesës së Beogradit, pasi që kjo sipas tij po e “bosnjizon” Kosovën.
Takimi me studentë i kryetarit të Prizrenit në Kolegjin AAB përfundoi me një diskutim interaktiv, ku studentët u interesuan për çështje të ndryshme me të cilat ballafaqohet qeverisja lokale.