Marc Gruber: “Gazetaria hulumtuese duhet t’ i shërbejë publikut”

30 Prill 2015

Në kuadër të projektit të përbashkët të Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Projektit të Këshillit të Evropës “Duke promovuar lirinë e shprehjes dhe të informimit dhe lirinë e mediave në Evropën Juglindore”, në AAB u mbajt diskutimi për rëndësinë e gazetarisë hulumtuese , me ç’ rast ligjëroi ish-drejtori i Federatës Evropiane të Gazetarëve (FEG) në Bruksel, Marc Gruber.

Në diskutimin me temë “Përtej titujve të lajmeve botërore: pse është e rëndësishme gazetaria hulumtuese për interesin publik”, Gruber, foli për gazetarinë hulumtuese dhe për raportimin për të drejtat e njeriut. Ndër të tjera, ai tha se gazetaria hulumtuese nuk është diçka personale, e as heroike, ajo duhet t’i shërbejë publikut. “Gazetaria hulumtuese nuk bëhet vetëm. Nëse punoni vetëm jeni të rrezikuar, dhe për të bërë një gazetari të tillë nuk do të thotë. domosdoshmërisht të punoni në media të mëdha”, tha Gruber.

Gruber ka dhënë shpjegime se si realizohet një storje hulumtuese dhe se si gazetari duhet t’ i vihet prapa hulumtimit dhe kërkimit të informacionit. Ai iu ka sugjeruar studentëve që nuk duhet gjithmonë të synohet temat e mëdha. Në gazetarinë hulumtuese shpesh ndodh që një temë lokale të marrë përmasa të mëdha dhe të bëhet temë bosht në regjione më gjerë. Duke tërhequr paralele të të bërit gazetari hulumtuese edhe në vendet evropiane, Gruber ka sqaruar që edhe në vendet me zhvillim të lartë, gazetaria hulumtuese jo gjithmonë përkrahet nga kompanitë e mëdha mediale, për shkak të interesave të ndryshme ekonomike.

Gruber, gjithashtu u ka sqaruar studentëve që gazetaria hulumtuese nuk duhet të jetë gjithmonë negative, ajo mund të jetë edhe pozitive. Ndërsa, ai porositi studentët dhe të tjerët që ushtrojnë këtë profesion se duhet të jenë përgjegjës për punën e tyre, duke  respektuar privatësinë dhe nuk duhet të shfaqin gjuhë të urrejtjes. Ai tha se gazetari duhet të hulumtojë, dhe jo të mbajë njërën po anën tjetër.

Gruber, ka gjetur rastin të flasë edhe për qasjen në informacione zyrtare, duke sqaruar madje edhe dallimin në mes qasjes në dokumente zyrtare dhe qasjes në informata publike. Ai tha se gazetarët duhet të kenë qasje në informatat publike.
 
Mark Gruber porositi studentët, të cilët janë duke studiuar në fushën e medieve e që në të ardhmen mendojnë të ushtrojnë profesionin e gazetarit, të mos prekin jetën private të personave të ndryshëm, e që nuk kanë të bëjnë me interesin e publikut, dhe që të mos e rrezikojnë jetën e tyre, pasi në Ballkan ka shumë shembuj që gazetarët keqtrajtohen.
 
Diskutimi mbi gazetarinë hulumtuese, i cili u zhvillua në Fakultetin e Komunikimit Masiv në AAB u përcoll me një varg diskutimesh edhe nga ana e studentëve. 

Share: