Kolegji AAB dhe Kolegji i Menaxhimit Hammersmith (HMC) me seli në Londër si dhe Qendra e Kompetencave Evropiane (CEC), kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për organizmin dhe zbatimin kurseve të përbashkëta të arsimit profesional për të rritur. Kjo është marrëveshja e dytë e bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve brenda një viti.
Llojet e kurseve të cilat do të organizohen në kuadër të kësaj marrëveshje janë: gjuha angleze e biznesit, komunikimi për biznes, estetikë e parukeri, inxhinieri softverike, turizëm dhe hoteleri, menaxhimi i kujdesit dhe shëndetësi, menaxhimi i fushës së arsimit, menaxhimi i fushës së sporteve dhe gjuhës angleze.
Kurset në fjalë do të organizohen në ambiente e Kolegjit AAB, me kohëzgjatje gjashtë muaj deri në një vit, dhe në fund kandidati pajiset me certifikatë të lëshuar nga dyja institucionet partnere; Kolegji AAB dhe HMC.
Marrëveshja në fjalë është nënshkruar nga prorektori për Shkencë, Zhvillim dhe Inovacion të Kolegjit AAB, Xhavit Rexhaj dhe drejtori i Kolegjit HMC-HTC, Sirjeel Khan.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, prorektori Rexhaj ka thënë; kjo marrëveshje përcakton sferën e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, me qëllim të mbështetjes të arsimit profesional në Kosovë dhe më gjerë, duke ju dhënë mundësi të rinjve që të marrin një profesion dhe mjeshtri, si një mundësi të punësimit më të lehtë dhe sipas standardeve më të larta evropiane.
Kolegji i Menaxhimit Hammersmith (HMC) me Seli në Londër, organizon kurse profesionale, trajnime multidisiplinare në 28 vende anekënd botës.