Mbahet trajnimi dy-ditor në kuadër të projektit SustainEdu – në fokus barazia gjinore dhe cilësia në arsim

25 Prill 2025

Në datat 23-24 prill 2025, në Universitetin Europian të Tiranës (UET), u zhvillua një trajnim dy-ditor në kuadër të projektit ndërkombëtar SustainEdu, i cili udhëhiqet nga Kolegji AAB në partneritet me Universitetin Powislanski në Poloni, Universitetin Newton në Republikën Çeke, dhe  Universitetin Europian të Tiranës, në Shqipëri. Trajnimi mbi SDG 5 u fokusua në barazinë gjinore, ku ekspertët nga Universiteti Newton prezantuan gjendjen aktuale në vendin e tyre dhe diskutuan për përpjekjet për përfshirjen e grave në pozita vendimmarrëse dhe rolin e arsimit në ndërtimin e një shoqërie të barabartë. Ndërkohë, trajnimi mbi SDG 4 trajtoi çështje që lidhen me arsimin cilësor, ku pjesëmarrësit ndanë përvoja dhe sfida nga sistemet arsimore të vendeve të tyre, duke propozuar hapa konkretë drejt një edukimi më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Në këtë trajnim morën pjesë 12 anëtarë të stafit akademik nga Kolegji AAB dhe 10 anëtarë të stafit akademik nga UET, të cilët kontribuan me përvoja dhe ide konkrete për zhvillimin e mëtejshëm institucional në fushën e arsimit dhe barazisë gjinore.   Projekti bashkëfinancohet nga qeveritë e Republikës Çeke, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë përmes Granteve të Vishegradit nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit, qëllimi i të cilit është promovimi i ideve për bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal në Evropën Qendrore.

Share: