Në Kolegjin AAB mbylli punimet Konferenca e dytë Shkencore Ndërkombëtare ICLLC 2017, “Gjuhësi, letërsi dhe kulturë”, e organizuar nga Fakulteti i Gjuhës Angleze i këtij kolegji në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi”- Shkodër, Universitetin “Aleksandër Moisiu”- Durrës (UAMD) dhe Fakultetin e Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit të Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL).
Gjatë kësaj konferencë të ndarë në disa sesione, përfshirë këtu edhe seancën plenare, me punimet e tyre u prezantuan mbi 50 studiues, me tema nga gjuhësia, letërsia angleze dhe amerikane, kritikë letrare, analizë diskursi, metodologji e mësimdhënies së gjuhës angleze, inovacionet në të mësuarit e gjuhës angleze dhe studime përkthimi, etj..
Në hapjen e kësaj konference dekania e Fakulteti të Gjuhës Angleze të Kolegjit AAB, Venera Llunji, tha se në një mjedis intelektual si ky, në të cilin shumëllojshmëria e qasjes dhe opinionit vlerësohet shumë, Fakulteti i Gjuhës Angleze është i vendosur që t’i ofrojë këtij komuniteti të dijetarëve një përvojë interesante gjatë kësaj dite.
Ndërsa, prorektori për Shkencë në Kolegjin AAB, Hasan Saliu, në fjalën e tij tha se një konferencë shkencore shënon dobi prurjen e saj kur ajo arrin ose të japë një përgjigje për enigmën shoqërore apo kur gjetjet dhe përfundimet e saj gjejnë zbatim apo merren parasysh nga aktorë shoqërorë dhe studiues të fushës..
Drita Kadriu, drejtoreshë e departamentit të arsimit të lartë në MAShT, tha se roli i konferencave është i shumëfishtë si për studentë ashtu edhe për stafet akademike duke qenë se besoj që nevojat për zhvillimin e shkathtësive për hulumtime shkencore janë shumë të mëdha dhe përmes konferencave studentët kanë përfitime të shumëfishta pasi që e zhvillojnë shkathtësinë dhe njëkohësisht përgatiten për avancimet e tyre akademike.
Ky aktivitet shkencor, përveç prezantimeve nga fushat si më lartë shërbeu edhe si një vendtakim për studiuesit dhe gjuhëtarët shqiptarë të cilët shkëmbyen edhe përvojat e tyre akademike dhe hulumtuese; si dhe për krijimin e mundësive për bashkëpunime për projekte të reja shkencore në të ardhmen.
Në këtë eveniment të rëndësishëm shkencor është më rendësi të theksohet se u nxorën konkluzione, të cilat është e nevojshme të përmenden për shkak të interesit që kanë për opinionin.
Në seancën e parë për gjuhësinë dhe letërsinë u prezantuan rezultatet e disa projekteve hulumtuese interesante në këto dy fusha. Edhe vet natyra e gjerë e dy fushave lejoi që në këtë seancë të ketë laryshi temash të trajtuara, prej përkthimeve të Harri Poterit, përmes studimeve të fonetikës e fonologjisë, e trajtesave të stilit në letërsi, deri te shqyrtime të paskajores së gegërishtes në prozën e priftërinjve françeskanë e te diskursi e gjuha politike e Ibrahim Rugovës. Interes të jashtëzakonshëm zgjuan studimet e ‘gegënishtes’ dhe studimet e stilit që u reflektua përmes pyetjeve e reagimeve e kundër reagimeve të të pranishmëve dhe të prezantuesve.
Ndërsa në sesionin e Albanologjisë, pas kumtesave në fusha të ndryshme, u sollën këto konkluzione; se lënda e stilistikës duhet të jetë më tepër e përfshirë gjatë përgatitjes së mësimdhënësve të ardhshëm të gjuhës (cilësdo) dhe të shtohet kohëzgjatja, komunikimi të përfshihet si lëndë speciale, ose të paktën si pjesë e kurrikulës së re, t’i kushtohet më tepër rëndësi, Idriz Ajeti mbetet gjuhëtar me kontribut të lartë në fushën e gjuhësisë, simbolet mediterane të Basri Çapriqit ndërlidhen me ato të letërsisë botërore, etj..
Po ashtu, gjatë sesioneve u tha se vetë prania e prezantuesve nga Kosova, Maqedonia, Shqipëria, e Anglia u ofroi të pranishmëve një sfond më të gjerë tematik, metodologjik, e kulturor për çështjet e trajtuara.
Sipas organizatorëve, të pranishmit, u ndanë tejet të kënaqur me rezultatet e punimeve të seancave paralele dhe të tërë konferencës. Po ashtu cituan se ishte edhe rast i mirë për studentët e AAB-së, që më për së afërmi u njoftuan me “mjeshtëritë e zanatit” të studimit e të hulumtimit shkencor.