Mospërmbyllja me njohjet, rrezik për Kosovën – thonë studiuesit
Kosova në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë ka përparime të dukshme në fuqizimin e saj si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, ka konsoliduar demokracinë, por vazhdon të ngecë në fuqizimin e shtetit të së drejtës dhe gjyqësorit të pavarur.
Këto janë disa nga përfundimet e dala nga Konferenca shkencore “Konsolidimi i shtetit dhe sfidat eurointegruese”, e organizuar nga Kolegji AAB dhe katër universitete të tjera nga vendi dhe rajoni.
Mospërfundimi i procesit të njohjeve, sipas përfundimeve të Konferencës, paraqet një rrezik për fuqizimin e Kosovës si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Prandaj, disa nga studiuesit që diskutuan në këtë konferencë, rekomanduan që institucionet të punojnë më me agresivitet së bashku me faktorin ndërkombëtar për ta përmbyllur çështjen e njohjeve e jo të përplasen me bashkësinë ndërkombëtare për interesa personale. “Çdo vonesë në këtë drejtim krijon shtratin e idesë së ndarjes”, u tha në këtë konferencë.
Sa i përket zhvillimit ekonomik, studiues të kësaj fushe në këtë konferencë thanë se përkundër përparimeve në fushën e investimeve, Kosova megjithatë vazhdon të ketë një bilanc tepër negativ ku importi është gati dhjetë herë më i madh se eksporti.
Gjithashtu, studiuesit ngritën shqetësimin edhe për Gjykatën Speciale, duke theksuar se institucionet e Kosovës nuk kanë bërë shumë për ta njohur botën me krimet e kryera ndaj shqiptarëve dhe personat e zhdukur, ndërkaq gati-gati po krijohet një paqartësi në opinionin global ndërmjet agresorit dhe viktimës në Kosovë.
Kjo konferencë dyditiore ku u prezantuan 100 punime shkencore nga fusha të ndryshme, u organizua nga Kolegji AAB në bashkëpunim me Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, Universitetin Shtetëror të Tetovës, Universitetin e Durrësit dhe Kolegjin Universitar “Pavarësia” nga Vlora.