Prof. Shpend Voca u shpërblye me “Award for the best presentation” në konfer​e​ncën ndërkombëtare në Tiranë

21 Nëntor 2017

Përfundoi punimet konferenca shkencore ndërkombëtare dyditore në Tiranë, e organizuar nga International Sociological Association (ISA), disa universitete shqiptare dhe Kolegji AAB, me temën “Good Society – A Multidimensional Approach”.

Konferenca i zhvilloi punimet më 17 dhe 18 nëntor në mjediset e Universitetit “Marin Barleti” në Tiranë, ku punimet e tyre i prezantuan rreth 220 pjesëmarrës nga 25 shtete të botës, nga Evropa, Azia, Afrika dhe kontinenti amerikan.

Profesori Shpend Voca, duke përshëndetur në emër të rektorit të Kolegjit AAB, prof. dr. Lulzim Tafa,  tha se bashkëpunimi disavjeçar i AAB-së me ISA-n ka dhënë frute në fushën e kërkimit shkencor dhe është kurorëzuar dhe po kurorëzohet me konferenca të këtilla të rëndësishme siç ka qenë ajo e Prishtinës para dy vjetësh në AAB, Shkup e Tetovë vitin e kaluar dhe kjo e tanishmja në Tiranë.

Konferenca nisi me seancën plenare me referues kryesorë: Prof. dr. Servet Pëllumbi, president i Institutit Shqiptar të Sociologjisë, prof. dr. Marenglen Spiro, rektor i Shluj “Universiteti Marin Barleti”, prof. Lap Yan Kung, Chinese University of Hong Kong, prof. Annette Michelsen Lacour, University of Southern Denmark, Lekë Sokoli, drejtor ekzekutiv i Institutit Shqiptar të Sociologjisë.

Në përfundim të konferencës për hulumtimin dhe prezantimin më të mirë u ndanë edhe çmime të ndryshme. Në mesin e shumë studiuesve, Shpend Voca, ligjërues në Kolegjin AAB, mori çmimi“Award for the best presentation”.  “Ishte kënaqësi të merrja pjesë në një konferencë të tillë ndërkombëtare dhe të vlerësohem me një çmim të tillë. Poashtu, ishte nder për mua përcjellja e fjalëve të rektorit Tafa pranë një paneli dhe audience të veçantë”, tha z. Voca.

Përveç Vocës, në këtë konferencë punimet e tyre i prezantuan edhe një numër i mësimdhënësve të Kolegjit AAB.

Share: