Sot, në ambientet e Teatrit “Faruk Begolli”, të Kolegjit AAB në Prishtinë, me hapjen e ekspozitës kolektive tradicionale, me promovimin e dy librave dhe me një program artistik, studentët e të dy niveleve të studimit në Fakultetin e Arkitekturës dhe të Arteve të Kolegjit AAB mbyllën aktivitetet e tyre për këtë vit akademik.
Në këtë ekspozitë, studentë të Fakultetit të Arkitekturës dhe Arteve të këtij institucioni kanë ekspozuar punime të shumta nga të gjitha gjinitë e arteve pamore: arkitekturë dhe interier, dizajn grafik, përgatitje e librit, grafika reklamuese, ilustrim, grafikë reklamuese, multimedia, fotografi, pikturë, vizatim, art konceptual, etj..
Kurator i ekspozitës tradicionale të studentëve, e dhjeta me radhë, është prof. Fitim Aliu, ndërsa atë e shpallën të hapur Prorektori për Çështje Mësimore, prof. dr. Shemsedin Vehapi dhe profesori Shyqyri Nimani.
“Këto organizime shërbejnë për promovimin e arritjeve të studentëve. Siç po shihet, studentët kanë punuar profesionalisht dhe me një përkushtim të madh, por edhe angazhimi i mësimdhënësve nuk ka munguar duke kontribuar në ngritjen e kuadrove të reja”, ka thënë prorektori Vehapi, në fjalën e tij të rastit, duke shtuar se krahas ngritjes së kapaciteteve Kolegji AAB, ka vendosur që në vazhdimësi të bëjë promovimin e punës artistike të studentëve dhe profesorëve të këtij institucioni.
Ndërkaq profesor Shyqyri Nimani deklaroi se vlerat e kësaj ekspozite janë të jashtëzakonshme por edhe punësimi i studentëve tanë nuk mungon. “Unë mendoj që çdo vit e më shumë interesimi i studentëve po tregohet më shumë për dallim nga vitet e kaluara, po tregohen më të suksesshëm dhe më kreativë. Mendoj që gjeneratat të cilat po i përfundojnë studimet në Fakultetin e Arteve dhe të Arkitekturës, do të jenë në gjendje që karrierën e tyre ta vazhdojnë me plot sukses, duke krijuar studio personale, si dhe të punësohen si në institucionale publike ashtu edhe private”, ka theksuar prof. Nimani.
Po ashtu, në kuadër të këtij aktiviteti, Shtëpia Botuese AAB dhe Fakulteti i Muzikologjisë, promovuan edhe dy tituj të rinj të librave nga lëmi i muzikës të dy mësimdhënësve të Fakultetit të Muzikës në AAB: “Hyrje në kontrapunktin instrumental” i autorit Kushtrim Jakupi, me recensentë dr. Adhurim Rasimi dhe prof. komp. Isak Jakupi, dhe “Këndimi koral në edukimin e përgjithshëm muzikor”, i autorit Adhurim Rasimi, me recensentë prof. dr. Besa Luzha dhe mr. sc. Violetë Krasniqi.
Me rastin e promovimit të këtyre dy librave, Besa Luzha, recensente, ka thënë se libri i Adhurim Rasimit sjell një përmbledhje të literaturës korale dhe të gjithë dirigjentët apo mësimdhënësit që janë duke punuar nëpër shkolla fillore dhe të mesme dhe që kanë punuar me korin mund t’i kenë në një vend.
Ndërkaq libri i Kushtrim Jakupit është shumë specifik , është një lëmi shumë profesionale. Deri më tani nuk ka pasur asnjë titull, asnjë botim në gjuhën shqipe, i cili shpjegon teknikat e kontrapunktit, ka thënë Luzha.
Në kuadër të këtij aktiviteti është dhënë edhe një program artistik me pika të zgjedhura muzikore, interpretuar nga studentët e Fakultetit të Muzikologjisë të AAB-së dhe “Kori AAB” në bashkëpunim me shkollën e Muzikës në Gjilan, dhe interpretime në piano, flautë, kitarë dhe videoamanacione.
Po ashtu, është promovuar edhe katalogu, në të cilin janë të përmbledhura punimet e studentëve nga kjo ekspozitë.
Ekspozita është e hapur për të gjithë ata që dëshirojnë të shohin në objektin III, të Kolegjit AAB.