Media sociale po zëvendëson marrëdhëniet reale me marrëdhënie online te fëmijët e adoleshentët

3 Janar 2018

Klubi i Debatit i studentëve të Fakultetit të Psikologjisë, organizoi debat publik në temën: “Ndikimi i rrjeteve sociale në zhvillimin psikologjik të fëmijëve”, ku përveç stafit të Kolegjit AAB, për t’ i ndarë përvojat e saja personale me studentët, e pranishme ishte edhe psikologja Xhevahire Balaj e cila është edhe drejtoreshë e Qendrës Psikosociale për Traumaterapi – Diakonie.   

Në këtë debat studentët e pranishëm patën mundësi t’ i kuptonin aspektet pozitive dhe negative të përdorimit të medias sociale, këshilla gjatë përdorimit të tyre e shumë pika në cilat me shumë përkushtim u përgjigjën: prof. Shpend Voca, prof. Mimoza Kamberi dhe e ftuara psikologja, Xhevahire Balaj.

Balaj theksoi se përdorimi me intensitet të lartë i medias sociale i ekspozon fëmijët ndaj disa sjelljeve me përmbajtje të papërshtatshme si privatësia, diskriminimi, etj..

Ajo tha se problem tjetër është varësia nga interneti: “Duke ardhur në pikën e medias sociale nga aksesi në internet, brezi i ri, përfshirë adoleshentët, ecën më shpejt. Në vend të ndërtimit të një marrëdhënieje reale, ata priren më shumë drejt marrëdhënieve online” tha psikologia Balaj.

Por, në këtë debat përveç anëve negative që shkaktojnë mediat online gjatë zhvillimit të fëmijëve, u përmendën edhe aspektet pozitive që fëmijët mund t’ i përfitojnë nëse ata kanë një kontroll më të madh të prindërve duke shtuar se mediat sociale lehtësojnë zhvillimin e ekspertizës teknike dhe të të kuptuarit praktik të teknologjisë nga fëmijët, mësojnë gjëra të reja, shkëmbejnë ide, motivohen për diskutime të ndryshme dhe inkurajojnë lirinë e të shprehurit.

Në fund të debatit studentët morën këshilla të shumta nga profersorët e tyre, për të pasur kujdes gjatë përdorimit të mediave sociale duke mos e harruar fenomenin e fundit që quhet bulizmi online i cili është i përhapur në media dhe ka mjaft ndikim në psikikën e individit krahasuar me bulizmin e drejtpërdrejtë.

 

 

 

 

Share: