Misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Kolegji AAB organizojnë tryezën e diskutimit “Liri, barazi dhe drejtësi”

20 Dhjetor 2023
The OSCE Mission in Kosovo and the AAB College organize the discussion table "Freedom, equality and justice"

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Kolegji AAB sot kanë mbajtur tryezën e diskutimit me temën “Liri, barazi dhe drejtësi”, si vlera themelore për një shoqëri harmonike dhe gjithëpërfshirëse.

Tryeza përbëhej nga katër panelistët që ishin prijësit fetar: përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, përfaqësuesi i Kishës Katolike, Don Mikel Sopi, përfaqësuesi i Kishës Protestane Ungjillore, Artur Krasniqi, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe, Jovan Cvetkovic dhe dekani i Fakultetit Juridik, Mentor Lecaj. Kjo tryezë u moderua nga Këshilltarja Vendore për të Drejtat e Njeriut nga Misioni i OSBE në Kosovë, Valbona Dërmaku.

Në fjalën hyrëse prorektorja e Kolegjit AAB, Venera Llunji, tha se Kolegji AAB me përkushtimin e vet për përsosmërinë akademike dhe rolin në formësimin e mendjeve të liderëve të ardhshëm, luan një rol kyç në promovimin e të menduarit kritik, tolerancës dhe mirëkuptimit tek të rinjtë. Ajo shtoi se Kosovën e karakterizojnë kulturat dhe traditat të ndryshme fetare, por është thelbësore të njihet rëndësia e qasjes sekulare të saj. Ndërsa tha se natyra sekulare e Kosovës jo vetëm që pasqyron parimet e gjithëpërfshirjes por shërben si bazë e një mjedisi ku të gjithë qytetarët bashkëjetojnë paqësisht.

Dekani i Fakultetit Juridik, Mentor Lecaj, falënderoi pjesëmarrësit duke thënë se organizime të tilla shërbejnë që studentët të kuptojnë më detajisht se çfarë rëndësie përbën respektimi i të drejtave të njeriut. Ai përmendi edhe Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe peshën që bart, por citoi edhe disa prej kapitujve të librave fetarë që bëjnë thirrje për barazi ndër shekuj.

Vedat ef. Sahiti si përfaqësues i Bashkësisë Islame vlerësoi tolerancën fetare e cila ekziston në Kosovë ku të gjitha fetë bashkëjetojnë në një shtet të vetëm, pa pasur probleme, polemika apo diçka të ngjashme. Edhe Don Mikel Sopi nga Kisha Katolike theksoi se feja të cilës i përket apelon për paqe e solidaritet mes njëri tjetrit, gjë të cilën e pohoi edhe përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe, Jovan Cvetkovic, ndërsa shtoi se dashuria mes njëri tjetrit duhet të jetë e pranishme çdoherë. Përfaqësuesi i Kishës Protestane Ungjillore, Artur Krasniqi, tha se 75 vjet pas publikimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut ende vazhdon të jetë evident dhe i domosdoshëm respektimi i saj, jeta në paqe dhe harmonia mes njerëzve.

Në fund, studentët patën disa pyetje për panelistët që i përkisnin temës për të cilën diskutohej, me fokus në rolin që kanë prijësit fetarë dhe pasuesit e tyre në mbarëvajtjen e respektimit të këtyre të drejtave në Kosovë dhe tërë botën.

Share: