Ndërmarrëset nga Gjakova diskutuan për sfidat në të bërit biznes gjatë pandemisë Covid-19

9 Nëntor 2021

Në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë (#GEW2021 #gewkosovo2021), në Kolegjin AAB në Gjakovë, në bashkëpunim me UN Women, u organizua tryeza “Sfidat e grave ndërmarrëse gjatë kohës së pandemisë”.

Qëllimi i tryezës ishte identifikimi i sfidave të grave ndërmarrëse dhe zgjidhjet që janë bërë dhe do mund të bëhen për tejkalimin e këtyre sfidave.

Të ftuara në tryezë ishin znj. Erëza Gjikolli, mbikëqyrëse e zhvillimit të programit Gratë në Biznes nga TEB Banka, ndërmarrësja znj.Enisa Dibrani nga “INOX Kosova” dhe znj.Kaltrina Hoda, themeluese e “Zoe’s Art”.

Duke pasur parasysh që pandemia globale ka prekur edhe vendin tonë, duke vështirësuar funksionimin e shumë bizneseve, znj.Erza Gjikolli nga TEB Banka theksoi politikat që kanë ndërmarrë përmes programit Gratë në biznes, për të ndihmuar jo vetëm gratë që kanë hasur në vështirësi, por edhe ato që planifikojnë të fillojnë biznese të reja (startups).

Ajo përmendi kreditë me norma kamate më të leverdishme që janë ofruar përmes programit në fjalë, duke aplikuar po ashtu edhe grejs periudha për kreditë ekzistuese dhe ato të reja, në mënyrë që këto gra ndërmarrëse ta kenë më të lehtë menaxhimin e mëtutjeshëm të biznesit të tyre.

Enisa Dibrani nga “INOX Kosova” tregoi se pandemia nuk ishte e lehtë, por që mundësitë teknologjike kanë bërë të mundur vazhdimin e punës edhe nga shtëpia. Ajo vlerësoi mesatarisht mbështetjen si nga bankat ashtu edhe nga qeveria përmes pakove emergjente.

Ndërsa e ftuara tjetër Kaltrina Hoda, tregoi që në biznesin e saj Zoe’s Art në të cilin merret me krijimin e skulpturave kreative si sfiduese gjatë kohës së pandemisë përveç anës financiare dhe mungesës së punës me klientë, përmendi edhe vështirësitë në sigurimin e materialit punues që e përdor si lëndë e parë në krijimet e saj.

Në këtë tryezë diskutimi, që u vlerësua nga studentët dhe pjesëmarrësit, u tha se përkundër sfidave, si gra ndërmarrëse kanë arritur t’ ia dalin mbanë gjatë kësaj kohe. Të ftuarat në panel inkurajuan studentët që të punojnë për të realizuar idetë që kanë për të ardhmen, dhe që ato të mos mbeten vetëm në letër.

Share: