Instituti Nacional Demokratik (NDI), ka shpërblyer me mirënjohje e certifikata studentët e Fakultetit të Shkencës Kompjuterike të AAB-së, për kontributin dhe angazhimin e dhënë në kuadër të konferencës WOW 2017 (Week of Woman 2017), të mbajtur ditë më parë në Prishtinë.
Studentët: Rina Doda, Shkëlqim Miftari, Besart Rrecaj, Berat Hoti, Dardan Prebreza, Milot Syla, Sherif Sheremetaj dhe Egzon Nuhaj, për dy muaj me radhë kanë punuar në këtë organizatë, duke përfunduar me sukses edhe praktikën profesionale, ndërsa në fund secili nga ta u certifikuan për realizmin e suksesshëm të intershipit në NDI Kosovë.
Gjatë kësaj pune praktike studentët në fjalë kanë qenë të angazhuar përveç tjerash edhe në organizmin e konferencës një javore “Week of Woman 2017” (WOW 2017), konferenca më e madhe në rajon e llojit të tillë, me mbi 200 pjesëmarrës.
Studentët e AAB-së, në kuadër të këtij projekti kanë dizajnuar uebfaqen e konferencës, kanë realizuar aplikacionin për regjistrim elektronik të pjesëmarrësve, duke mundësuar regjistrimin digjital të pjesëmarrësve në konferencë.
“Studentët tuaj kanë qenë shumë të mirë dhe me të vërtetë jemi shumë të kënaqur të gjithë! Kanë punuar në uebfaqe në mënyrën më të mirë të mundshme. Me Kolegjin AAB mendojmë të vazhdojmë bashkëpunimin edhe për aktivitete të tjera”, tha drejtori i NDI për Kosovë, Alexander Chevaria, gjatë një pritjeje për studentët dhe stafin e Kolegjit AAB.
Ndërsa studenti Shkëlqim Miftari, ka thënë se njohuritë e fituara në Kolegjin AAB i kemi praktikuar në këtë projekt në NDI: “Kjo praktikë ka shërbyer si eksperiencë shumë e mirë, sepse kemi punuar në projekte reale”, u shpreh ai.
Edhe dekanja e Fakultetit të Shkencës Kompjuterike, Blerta Prevalla, u shpreh e kënaqur me rezultatet e treguara të studentëve në projekte të këtilla konkrete, si ky me NDI.