Në AAB Summer Project këtë javë u diskutua për shërbimet e shëndetit mendor në komunitet

17 Korrik 2021

Në kuadër të projektit veror hulumtues ”AAB Summer Project” këtë javë i është kushtuar rëndësi “Shërbimeve të Shëndetit Mendor në Komunitet”, pasi në kuptimin pozitiv shëndeti mendor është themeli për mirëqenien individuale dhe funksionimin efektiv të një komuniteti.

Për të diskutuar për këtë temë, para studentëve të Kolegjit AAB, kanë referuar Dr. Sami Rexhepi, drejtor dhe neuropsikiatër në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë; Behare Bojaxhiu, specializante e psikologjisë klinike dhe psikologe; dhe Vjosa Berisha, specializante e psikologjisë klinike dhe psikologe në po të njëjtën qendër.

Ndër të tjera, kjo qendër ofron shërbime për shëndetin mendor, rehabilitim dhe risocializimin e pacientëve me çrregullime kronike psikiatrike dhe çrregullimeve të tjera në fushën e shëndetit mendor. Këto shërbime ofrohen në Prishtinë, Mitrovicë, Gjilan, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Prizren.

Bazuar në përvojën shumëvjeçare, Dr. Sami Rexhepit bëri thirrje që studentët e psikologjisë si psikologë të ardhshëm, asnjëherë të mos paragjykojnë klientët, pavarësisht natyrës së problemeve që ata mund të sjellin me vete.

Më tutje, ai i porositi studentët se qysh në momentin kur klienti hap derën për të hyrë në zyrën e profesionistit të shëndetit mendor, kjo do të thotë shumë, sepse ne nuk mund të dimë se sa kohë i është dashtë atij personi për të marrë një guxim të tillë.

Më tutje, theks i veçantë i është dhënë aspektit familjar për një funksionalizim sa më të mirë vetanak të balancuar në mes të shëndetit fizik dhe pjesës emocionale të klientëve. Andaj, Vjosa Berisha vuri në pah psikoedukimin familjar si komponentë kruciale në suksesin e trajtimit. Nga përvoja praktike janë marrë edhe shembuj të interpretimeve të vizatimeve për rolet familjare, të bërë nga klientët gjatë seancave psikoterapeutike.

Për hir të mirëmbajtës së shërbimeve të ofruar, folësit kanë hapur si çështje të diskutimit edhe vizitat e ekipeve në terren për të parë nga afër raportin e vërtetë klient-familje. Në diskutim e sipër psikologia Behare Bojaxhiu potencoi se një ndër parimet dhe detyrat e një psikologu është që të mos i paragjykojë klientët pavarësisht vlerave dhe besimeve themelore që ata mund të kenë. Fryma e ekipit multidisiplinar është potencuar për t’ i gërshetuar në mes veti shërbimet psikologjike dhe të neuropsikiatrisë në rastet kur përfshihet edhe bota imagjinare e klientit që janë duke marrë shërbimet në këtë qendër.

Në fund fare, u fol për mundësinë që studentët e Kolegjit AAB, të bëjnë punën praktike në Qendrën e Shëndetit Mendor në Prishtinë, derisa dekani i fakultetit të Psikologjisë Naim Telaku, në cilësinë e organizatorit të aktivitetit, falënderoi mysafirët, studentët dhe gjithë ata që kanë kontribuuar në organizimin e këtij cikli të aktiviteteve në kuadër të AAB Summer Project.

Share: