Java Globale e Ndërmarrësisë #GEW2020, ku Kolegji AAB është njëri nga partnerët e përvitshëm, ka filluar me aktivitetet e Fakultetit Ekonomik në degën e Ferizajt.
Debati me temën “Kërkesat e bizneseve për marrjen e kredive biznesore nga fillimi i Pandemisë Covid 19”, i cili u zhvillua virtualisht, pati të ftuar Drejtorin e Bankës TEB, Avdullah Tasholli dhe Drejtorin e Degës së Kolegjit AAB në Ferizaj, Prof.dr. Shaip Bytyqi.
Udhëheqësi i degës së Kolegjit AAB në Ferizaj, njoftoi për aktivitetet që do të organizohen në kuadër të edicionit të sivjetmë të GEW, ndërsa bëri të ditur se për shkak të masave parandaluese ndaj koronavirusit aktivitetet do të zhvillohen kryesisht online.
Nga ana tjetër, nisur nga tema e debatit, drejtori i TEB krahas informimit të pjesëmarrësve për funksionimin e bankës që drejton në tregun e bankave komerciale në Kosovë, foli edhe për sfidat dhe vështirësitë e paraqitura gjatë Pandemisë COVID-19. Ai informoi studentët edhe për hapat që ka ndërmarrë ky institucion financiar për të lehtësuar bizneset në kërkesat e tyre gjatë kësaj periudhe.
#GEW2020 në Kolegjin AAB do të vazhdojë me aktivitetet e radhës në degën e Kolegjit AAB dhe në kampusin qendror në Prishtinë.