Në Fakultetin e Arteve dhe Arkitekturës u mbajt punëtoria “Laboratori kreativ”

6 Qershor 2016

Organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Arteve të Kolegjit AAB, u zhvillua punëtoria dyditore “Laboratori kreativ”, ndarë në katër punëtori paralele, të cilat trajtuan gërshetimin e arkitekturës dhe dizajnit nëpërmes krijimit, zbatimit të traditës dhe prezantimit të saj.

“Janë shkëmbyer përvojat dhe idetë e studentëve, të cilat nën mbikëqyrjen e tutorëve kanë rezultuar me prezantime të suksesshme të punës së bërë për këto dy ditë”, ka thënë organizatorja e këtij aktiviteti dhe udhëheqëse e Programit të Arkitekturës, Teuta Jashari-Kajtazi.

Znj. Jashari-Kajtazi tha se gjatë kësaj punëtorie janë dhënë edhe propozime mjaft interesante në trajtimin e karakterit të dukjes- fasadës së Fakultetit të Arkitekturës dhe Arteve të AAB-së, lidhjeve- komunikimit në kuadër të kampusit, vendosjes së strukturës mobile pranë fakultetit, të zonës qendrore të qytetit dhe lidhjes më pjesën e vjetër, si dhe intervenimeve minimale në arkitekturë.

Të gjitha punëtoritë janë udhëhequr nga profesionistë dhe mësimdhënës vendorë dhe ndërkombëtarë, siç janë: Përparim Rama, Florina Jerliu, Arianit Loxha, Visar Geci, Nusret Jusufi, Teuta Jashari-Kajtazi, Nora Krasniqi, Agon Nimani, Noli Mati, Florian Kurteshi, Armend Fazliu, Flamur Grajcevci dhe Valdrin Jusufi, ndërsa studentët pjesëmarrës ishin nga Programi i Arkitekturës, Dizajnit të Enterierit dhe Dizajnit Grafik të Kolegjit AAB, si dhe studentë të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Rezultati i laboratorit kreativ shumë shpejtë do të prezantohet në formë të ekspozitës në ambientet e Fakultetit të Arkitekturës dhe Arteve.

Share: