Në Kolegjin AAB filloi aksioni për dhurimin vullnetar të gjakut

10 Maj 2017

Fakulteti i Infermierisë i Kolegjit AAB, në bashkëpunim Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ), në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, sot në ambientet e Kolegjit AAB, e filluan aksionin një ditorë për dhurimin vullnetar të gjakut nga studentët dhe stafi i këtij institucioni, nën moton: “Dhuro gjak, shpëto jetë”.

Që në fillim u vërejt një gatishmëri e madhe e studentëve, stafit akademik dhe punonjësve tjerë të këtij institucioni, por edhe e qytetarëve të tjerë jashtë AAB-së për këtë aksion.

Studentja Albiona Plakiqi tha se do të dhurojë gjak sa herë të jetë nevoja: “Duke e marrë parasysh që në Kosovë çdo ditë e më shumë po rritet numri i aksidenteve, po në të njëjtën kohë edhe kërkesat për gjak po rriten, unë si person i shëndetshëm kam mundësi të jap gjak për të shpëtuar një jetë”.

Po ashtu Yllza Hajdari dhe Granit Haliliu shprehën: “Jemi duke  studiuar në Fakultetin e Infermierisë,e infermierët e kanë për profesion t’i shpëtojnë jetët e të tjerëve dhe dhurimi i gjakut është i mirë për shëndetin e organizmin tuaj”.

 “Ndër të parët që na kanë hapur dyert për këtë aksion është Kolegji AAB  stafi i këtij institucioni na kanë pritur mirë, por edhe përgjigja e dhuruesve për të dhënë gjak është e kënaqshme”, u shpreh menaxherja e Zyrës për Informim në QKKGJ, Melania Gjocaj. Ndërsa, doktoresha Blerta Mehmeti, e cila bën kontrollet e dhuruesve, bashkërisht me ekipin e saj, është shumë e lumtur për kontributin e studentëve dhe stafit të AAB-së, në aksionin për dhurimin e gjakut.

Aksioni humanitar i gjakut është tradicional dhe organizohet çdo vit nga Kolegji AAB në bashkëpunim me (QKKTGJ).

Ndërsa, po në kuadër të shënimit të 12 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë, Kolegji AAB, Fakulteti i Infermierisë do të organizojë një sërë aktivitetesh tjera:

 Më 11 dhe 12 maj 2017, organizuar nga Qendra e Karrierës dhe të Mësuarit gjatë gjithë jetës, organizohen trajnime për infermierë që do të mbahen në Teatrin AAB “Faruk Begolli”. Trajnimet zgjasin nga ora 09.00-14.00. Trajnimet janë të akredituara nga Bordi për Edukim të Vazhdueshëm Mjekësor i Ministrisë së Shëndetësisë. Pjesëmarrësit aktivë fitojnë 9 pikë kredituese, ndërsa pjesëmarrësit pasivë fitojnë 6 pikë kredituese. Më 12 maj 2017, në kuadër të trajnimit “Kujdesi infermieror nën kujdesin intensiv dhe anestezion”, e ftuar speciale për të ligjëruar në këtë trajnim do të jetë prof. ass.phd. Fatma Vural, nga Universiteti “Dokuz Eylül”, Izmir, Turqi.

 Më 12 maj 2017, studentët e Fakultetit të Infermierisë të Kolegjit AAB, do të ofrojnë shërbime infermierore falas për qytetarët e Prishtinës në Sheshin “Nëna Terezë”. Aktivitetet do të zhvillohen nga ora 10.00-15.00. Qytetarët e interesuar do të kenë mundësi të bëjnë matjen e shtypjes së gjakut; matjen e sheqerit në gjak; matjen e peshës trupore si dhe të marrin këshilla mjekësore.

 Më 13 maj 2017, Kino-Klubi AAB dhe Fakulteti i Infermierisë shfaqin filmin “The English Patient”. Filmi shfaqet në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, nga ora 16.00.

 

Share: