Në Kolegjin AAB ka përfunduar Kampi Veror Ndërkombëtar “WiSci Kosovo”, në të cilin morën pjesë 100 vajza nga Amerika e Ballkani, ku për dhjetë ditë mësuan për shkencë, teknologji, art, dizajn dhe lidership nga specialistë të kësaj fushe.
Njëqind vajza nga Kosova, Amerika, Maqedonia Veriore, Mali i Zi, Serbia, dhe Shqipëria ishin pjesë e aktiviteteve dhe ligjëratave të përditshme që u mbajtën në hapësirat dhe laboratorët e Kolegjit AAB, ku ligjëruan ekspertë të gjigandëve botëror të shkencës dhe teknologjisë, si: Intel, NASA, Microsoft, Laboratori Kombëtar i Energjisë së Ripërtrishme (NREL), etj..
Në mbyllje të kampit, mysafirëve i’ u drejtua drejtoresha e MCC-së për Kosovë Sarah Olmstead e cila tha: ‘Përvojat, por veçanërisht sfidat do t’ ju ndërtojnë juve si personalitete, andaj shpresoj se gjithçka që keni mësuar këtu ju ka dhënë fuqi për të zbuluar tek vetja se çfarë mund të arrini. Shpresoj që në #WiSciKosovo keni gjetur një strukturë mbështetëse përmes shoqërive që i keni bërë dhe mentorëve që i keni takuar, për të arritur atë që e synoni”, tha Olmstead.
Në Prishtinë ky kamp është organizuar nga GirlUp, Intel, Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (MFK), Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), Ambasadat Amerikane në Prishtinë, Shkup, Podgoricë, Beograd dhe Tiranë, NASA, NREL, Mircrosoft, Bechtel, AmCham Kosovo, Jahal Solar, Kolegji AAB, Organizata TOKA dhe Kosova Live.