Është bërë promovimi i tre librave me titujt “Ngarendja politike”, “Sisteme politike” dhe “Demokracia, zhvillimi, dhe demonizimi” nga autorët Ramë Buja dhe Vrullim Buja. Ngjarja u zhvillua në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB ku morën pjesë një numër i madh i familjarëve, miqve dhe kolegëve të dy autorëve.
Rektori i Kolegjit AAB Lulzim Tafa përgëzoi autorët për librat e tyre duke thënë se ndjen kënaqësi t’iu uroj mirëseardhje dy personazheve që njihen për kualifikimet e tyre, kontributet dhe vlerat që kanë. Tutje ai shtoi se Kolegji AAB tani jo vetëm që është qendra kryesore e kulturës por edhe e librit, pasi çdo javë sjell promovime të librave.
Dekani i Fakultetit të Administratës Publike i Kolegjit AAB Petrit Bushi, foli në cilësinë e recensentit të librit “Ngarendja politike” që e vlerësoi si material shumë voluminoz dhe të përgatitur. Ai tha se pret që ky libër të jetë në debat dhe konkurrencë me librat e autorëve të huaj duke u bazuar në përmbajtjen e tij.
Ndërsa dy recensentët e librave “Sisteme politike” dhe “Demokracia, zhvillimi, demonizimi”, profesor Bashkim Rrahmani dhe profesor Ylber Aliu thanë se ndjehen të privilegjuar që bënë një analizë të librave për të cilat thanë se shërbejnë si tekste, udhëzues dhe studime.
Autori i librave dhe profesor në Kolegjin AAB Ramë Buja pati falënderime për të pranishmit, familjarët dhe miqtë që e shoqëruan gjatë rrugëtimit të tij deri në promovim.
Ndërsa autori Vrullim Buja u përgjigj në pyetjet e studentëve të pranishëm rreth librave, temave që trajtojnë, por edhe suksesin që pritet të kenë.