Në Kolegjin AAB promovohet libri i autorit Evarist Beqiri “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”

14 Mars 2023
In the AAB College, the book of the author Evarist Beqiri "Founder - Leadership of Ismail Qemali" is promoted

Në Kolegjin AAB, është bërë promovimi i librit “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”, nga autori Evarist Beqiri, ndërsa morën pjesë figura të njohura politike, si kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deputetja Ganimete Musliu, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, gjeneralmajori i FSK-së, Gëzim Hazrolli dhe ish ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Të ftuarit në panel bashkë me autorin Evarist Beqiri, vlerësuan punën dhe angazhimin që është bërë për këtë botim, duke theksuar rëndësinë që përçon trajtimi i një figure si ajo e liderit shqiptar Ismail Qemali.

Profesoresha Nevila Nika, e cila ka punuar në arkivat shqiptare tha se autori Evarist Beqiri, ka nxjerrë ngjarjet më të veçanta në këtë libër nga lidershipi i Ismail Qemalit, ndërsa prurja e këtij libri është tejet interesante dhe zgjedhja që është bërë për të trajtuar një prej figurave kryesore të shtetformimit është për t’u admiruar.

Edhe studiuesi Adri Nurellari, la disa përshtypje në lidhje me dobitë e këtij libri, teksa vlerësoi qasjen metodologjike në riafirmimin e figurave historike, që sipas tij ka përfshirë dimensione të shumta e të rëndësishme, që konkludon në një libër që sjell shumë leksione për të gjithë shqiptarët rreth të shkuarës dhe të ardhmes.

Ish ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, shtoi se “Themeluesi – Lidershipi i Ismail Qemalit”, është libri i vetëm që është shkruar për një figurë historike nga pikëpamja e lidershipit, teksa e cilësoi si libër brilant.

Për këtë libër foli edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, i cili tha se Ismail Qemaili është një ndër figurat më të rëndësishme shqiptare menjëherë pas Skënderbeut dhe ky libër flet në detaje për të bëmat e tij, lidershipin dhe rolin që kishte.

Autori i librit Evarist Beqiri, pati disa fjalë për figurën kryesore në librin e tij Ismaili Qemali, ndërsa tha se brezat e rinj duhet të kuptojnë edhe trashëgiminë që ka lënë ai. Në fund ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë promovim, në veçanti Kolegjin AAB për mundësinë e dhënë.

Share: