Në Kolegjin AAB u diskuta efekti i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike me ministren e financave, Hykmete Bajrami

18 Dhjetor 2020

Efekti i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, ishte temë diskutimi mes ministres së Ministrisë së Financave, Hykmete Bajrami dhe studentëve të Fakultetit Ekonomik të Kolegjit AAB.

Ministrja Bajrami tha se situata e pandemisë ka dëmtuar shumë ekonominë në vend dhe se pas pandemisë, gjendja ekonomike nuk do të jetë e njëjtë.
Sipas Bajramit, Ministria e Financave nuk ka pasur mundësi t’ í mbështesë të gjitha bizneset dhe njerëzit që kanë pasur nevojë sepse buxheti ishte nënshkruar më 5 mars, periudhë kjo para se vendi të hynte në mbyllje totale.
Sa i përket Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, Bajrami theksoi se janë shqyrtuar të gjitha mundësitë që ky ligj të jetë në shërbim të qytetarëve.
Ministrja Bajrami sqaroi edhe një herë pagesën me nga 300 euro, për tre muaj, për punëtorët e larguar nga puna në kohën e pandemisë. Ajo tha se kjo shumë do t’ u jepet vetëm punëtoreve që u larguan nga puna në muajin mars, por jo edhe atyre që me tendencë po i largojnë punëtorët në dhjetor, me qëllim të përfitimit.

Nga ana tjetër, dekani i Fakultetit Ekonomik, Medain Hashani, ka vlerësuar sfidat e ministres Bajrami në periudhën e miratimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Sipas tij ky është një ligj që ka bërë një bujë të madhe në Kosovë.

Ministrja Bajrami foli edhe për sigurimin e vaksinës antiCOVID-19.
“Ne si vend po bëjmë edhe aleanca me vendet e tjera për sigurimin e vaksinës. Personalisht e shoh vaksinën si masën më efektive të rimëkëmbjes ekonomike sepse e di që kur populli të vaksinohet, ne do të fillojmë masat e relaksimit dhe ekonomia fillojë të kthehet në normalitet”, u shpreh ajo.
Sa i përket të rinjve dhe tregut të punës, ministrja Bajrami pati një mesazh për studentët e Kolegjit AAB. “Provoni të jeni të dalluar dhe unik, lexoni shumë, merrni mësime shtesë. Vetëm diploma nuk ua garanton vendin e punës.

Share: