Në Kolegjin AAB u diskutua për promovimin e tolerancës fetare dhe luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm që çon në terrorizëm

30 Tetor 2018

Fakulteti i Shkencave Sociale i Kolegjit AAB në bashkëpunim me OSCE sot mbajtën debat në temën “Leksion me gratë dhe përfaqësuesit fetarë për promovimin e tolerancës fetare dhe luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm që çon në terrorizëm”, debat ky që mblodhi studentë të shumtë.

Hapjen e këtij debati e bëri zëvendësrektori i Kolegjit AAB, prof. dr. Shemsedin Vehapi i cili me këtë rast tha se Kosova gjithmonë ka dëshmuar se është shembulli më i mirë i promovimit të tolerencës fetare.

“Historikisht Kosova paraqet shembullin më të mirë të bashkëjetesës së komuniteteve të cilat kanë pasur dallim fetar dhe ju si studentë është tejet e rëndësishme ta kuptoni që përpjekjet që i bën sistemi edukativ janë në linjë me përpjekjet që promovohen prej institucioneve të ndryshme fetare”, tha Vehapi.

Pjesëmarrëse në debat ishte edhe Vaxhide Bunjaku Podvorica, përfaqësuese e komunitetit Islam, e cila para studentëve tregoi rëndësinë e gruas në shoqërinë tonë, duke e cilësuar atë si baza kryesore e shoqërisë. Ajo gjithashtu shtoi sa i përket tolerancës fetare populli shqiptar i besimit mysliman, gjithmonë i ka ruajtur manastiret dhe kishat, duke i konsideruar ato si objekte të shenjta fetare, si dëshmi e kulturës, tolerancës dhe e civilizimit të popullit shqiptar në Evropë.

Në këtë debat pjesëmarrëse ishte edhe përfaqësuesja e komunitetit protestant në Kosovë, znj.Belize Cakolli, e cila theksoi se gruaja në komunitetin që ajo përfaqëson ka një rol të rëndësishëm.

Ndërsa, përfaqësuese OJQ-se “Ruka Ruci” tha se të gjithë ne duhet të jemi të përkushtuar për të respektuar të gjitha vlerat demokratike evropiane, për të qenë pjesë e botës demokratike dhe pjesë e organizatave ndërkombëtare.  

 

Share: