Duke pasur parasyshë rolin e kapitalit intelektual i cili po bëhet epiqendër në ekonominë e bazuar në dije, Fakulteti Ekonomik organizoi tryezë diskutimi me njohës të fushave përkatëse ndërsa qëllimi i kësaj tryeze ishte të diskutohet mbi gjendjen aktuale dhe mundësitë e zhvillimit dhe fuqizimit të kapitalit human në Kosovë përmes: arsimimit cilësor, arsimimit gjithëpërfshirës, mundësisë së punësimit, avancimit dhe zhvillimit në karrierë.
Hapjen e këtij diskutimi e bëri z.rektori i Kolegjit AAB prof.dr. Shemsedin Vehapi i cili ndër të tjera tha se organizimet e tilla përshtaten me konceptin didaktik që implementohet në Kolegjin AAB. “Tani në bisedim me të dy Kryetarët e Odave Ekonomike të Kosovës dhe Maqedonisë gjetëm mbështetje në forcimin e lidhjeve në mes të Kolegjit AAB dhe bizneseve me qëllim që programet të cilat do të akreditohen në të ardhmen të jenë në përshtatje me kërkesat e tregut të punës”, tha Vehapi.
Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, z. Nehbi Hoxha, theksoi rëndësinë e formimit të kapitalit intelektual. Ai tha se institucionet akademike duhet kushtuar rëndësi arsimimit cilësor drejt përmbushjes së nevojave për shkathtësi adekuate për tregun e punës. Hoxha, gjithashtu shtoi se studentët duhet vazhduar gjithmonë në kërkim të dijes, njohurive të reja dhe inovacioneve pasi që studentët janë resursi më i rëndësishëm në ekonomi.
Tutje gjatë këtij diksutimi kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës z. Berat Rrukiqi mes tjerash potencoi se Kosova është në rrugë të drejtë për mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës.
Kontributin e tyre në këtë tryeze diksutimi për rolin dhe rëndësinë e kapitalit human në ekonomi e dhanë edhe dekani i Fakultetit Ekonomik në Kolegjin AAB, prof.dr. Shaip Bytyqi, prof Besime Zyberaj si dhe kryesuesja e Klubit të Ekonomistëve të Rinj në AAB, studentja Hana Kastrati.