Profesorë nga Universiteti Ghent, ligjëruan për shumëgjuhësinë dhe panoramën gjuhësore urbane në Kolegjin AAB

2 Prill 2019

Fakulteti i Gjuhës Angleze në Kolegjin AAB organizoi ligjëratë të hapur me profesorë të shquar nga Universiteti Ghent, në Belgjikë, përkatësisht Prof.Dr. Stef Slembrouck dhe Dr. Mieke Vandenbroucke, të cilët ligjëruan në temën “Panorama gjuhësore dhe shumëgjuhësia”.

Në hapje të ligjëratës, dekanja Aida Alla, duke falënderuar profesorët Slembrouck dhe Vandenbroucke, tha se shpreson që studentët të përfitojnë njohuri të reja rreth një teme tejet të dobishme siç është ndërveprimi i shoqërisë me gjuhën, e studiuar nga disiplinat e sociolinguistikës.

Prof.dr. Stef Slembrouck, tregoi se studimet gjuhësore tashmë janë hulumtuar për shumë vite, por në vitet e fundit ka pasur një zhvillim të rëndësishëm dhe një rritje të madhe në numrin e hulumtimeve që kanë të bëjnë me shumëgjuhësinë  nga perspektiva e panoramës gjuhësore.

Peisazhi gjuhësor i çdo rajoni urban përbëhet nga përdorimi i gjuhës së shkruar siç shihet në mbishkrimet e institucioneve zyrtare (p.sh: pllaka qeveritare, shenja të emërtimeve të rrugës) dhe ato private (p.sh: shenja dyqanesh, billborde etj.).

Studimi i shumëgjuhësisë përmes fenomenit të peizazheve gjuhësore ka rezultuar në një numër temash të ndryshme kryesore në fushën e sociolinguistikës, duke përfshirë mënyrën se si panorama gjuhësore e qytetit reflekton strukturat etnike, dhe marrëdhëniet ndëretnike. Ai gjithashtu shtoi se këto hulumtime në gjuhë kontribuojnë në njohjen e shumëgjuhësisë në botë dhe shmangjen e konflikteve.

Ndërsa, Dr. Mieke Vandenbrouck shtoi se mjedisi gjuhësor reflekton marrëdhëniet midis vendeve të ndryshme dhe se rregullimi i mjedisit gjuhësor do të mbetet një çështje e rëndësishme jo vetëm në aspektin e gjuhëve që përdoren, por edhe për shkak të dimensioneve morale, etike, ligjore dhe ideologjike.

Së fundi, Prodekanja, Uranela Demaj e cila po studion peisazhet gjuhësore të Prishtinës nga perspektiva të ndryshme historike, sociale dhe politike shpjegoi shkurtimisht rëndësinë e studimeve të tilla në kontekstin e Kosovës.

Studentët në fund të ligjëratës shfrytëzuan rastin t’u bëjnë pyetje ligjëruesve mbi çështjet e sociolinguistikës. Sot, të pranishëm në këtë ligjëratë ishin edhe një grup i studentëve të Fakultetit të Gjuhës Angleze nga kampusi i Kolegjit AAB në Gjakovë dhe Ferizaj. 

Kujtojmë se Universiteti i Ghent është rankuar në 20 universitetet me të mira në Europë, sipas listës së Shangait.

Share: