Në Kolegjin AAB u mbajt ligjërata “Ta ndryshojmë kahjen e farmaceutikës”

5 Mars 2019

Kolegji AAB, respektivisht Fakulteti i Infermierisë dhe Oda Amerikane në Kosovë organizuan tryezën e diskutimit me temën “Ta ndryshojmë kahjen e farmaceutikës”, në të cilën ligjëroi drejtori ekzekutiv i kompanisë “Trepharm”, Mërgim Prishtina.

Gjatë këtij takimi studentët u informuan për sfidat dhe mundësitë e kësaj industrie, prodhimin e barnave farmaceutike, historinë si dhe sukseset e kësaj kompanie kosovare.

Me këtë rast drejtori ekzekutiv i “Trepharm”, Mërgim Prishtina për studentët theksoi se industria në Kosovë gjithmonë ka pasur nevojë për prodhimin dhe zhvillimin e barnave farmaceutike dhe se kjo është arritur duke bashkëpunuar dhe punuar në mënyre interaktive.

“Në kemi menduar që Kosova duhet të ketë prodhim të barnave, por, njëkohësisht edhe si familje të bëjmë diçka që e trashëgojmë tek gjeneratat e reja, gjë që na ka munguar në vazhdimësi. Ne kemi punuar me kompani të ndryshme derisa kemi arritur në nivelin e krijimit të kuadrit minimal brenda vendit dhe zhvillimin e formulave tona ku tani i kemi të gjitha produktet e zhvilluara brenda fabrikës sonë”, tha Prishtina.

 Ai gjithashtu para studentëve tha se kompania Trepharm është duke zgjeruar kapacitetet ekzistuese të prodhimit me një investim substancial në linja të reja të prodhimit.

Share: