Konteksti ekonomiko social është përcaktues i gjendjes së respektimit të lirive dhe të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Kjo u tha në një tryezë debati me temën “Gjendja e të drejtave të fëmijëve në Kosovë”, të organizuar nga Fakulteti Juridik i Kolegjit AAB, për nder të “1 Qershorit” – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.
Në këtë tryezë, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, në fjalën e tij tha se, kjo ditë është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por sipas tij, është një ditë e sensibilizimit si për të promovuar të drejtat e fëmijëve, ashtu edhe për të ngritur zërin kundër abuzimit të të drejtave të fëmijëve.
“Ideja e kësaj dite është që vet fëmijët të ngejnë zërin për të drejtat e tyre, por në mënyrë që loja, festa e tyre, gëzimi i tyre nga ne të rriturit të kuptohet edhe si protestë dhe si mesazh për gjendjen apo për pozitën e fëmijëve në Kosovë që përkon edhe me temën e kësaj tryeze me panelin e respektuar”, tha rektori Tafa.
Ndërsa, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, theksoi se gjendja e përgjithshme e të drejtave të fëmijëve në Kosovë, vazhdon të mbetet e rëndë dhe është jashtë standardeve të siguruara.
“Konsideroj se si familje në radhë të parë si shtet në radhë të dytë dhe si shoqëri në radhë të tretë duhet të mobilizohemi në mbrojtjen e fëmijëve, pasi që ky është angazhimi kryesor që na takon secilit prej nesh, duhet të angazhohemi në respektimin e të drejtave të tyre, në avancimin e këtyre të drejtave, në plotësimin e kushteve për jetë siguri, mirëqenie, arsimim”, tha kryetari Peci.
Po ashtu, edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës Ymer Beka, potencoi se Kosova ka themeluar të gjitha institutet, të cilat i duhen shtetit, andaj si pas tij, “neve na mbetet vetëm t’i avancojmë këto institute”.
“Tek ne duke i përshtatur konventat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, kemi bërë kategori kushtetuese, sepse fëmija është ardhmëria e vendit, prandaj nëse kësaj kategorie nuk i jepet rëndësi edhe ardhmëria e vendit do të ketë pikëpyetje dhe dilema se si do të zhvillohet tutje”, u shpreh kryeprokurori Beka.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Naim Rexha, tha se Policia e Kosovës përveç masave reaktive, në aspektin hetimor, bën zbatimin e legjislacionit që rregullon fushën e delikuencës së të miturve dhe mbrojtjen e të miturve në përgjithësi.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim më Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe teknologjisë, drejtorisë komunale të arsimit, qendrës për punë sociale dhe menaxhmentit të shkollave të tërë institucioneve para universitare ne vend, në baza ditore organizon aktivitete parandaluese dhe ligjërata vetëdijësuese për nxënësit rreth dukurive të ndryshme negative”, theksoi Rexha.
Në këtë tryezë i ftuar ishte edhe kryetari i KMDLNJ-se Behxhet Shala, i cili në fjalën e tij tha se në Kosovë kryesisht merren me pasojat, por që në vend mungojnë programet parandaluese.
“Te ne ndodh një rast, edhe momentalisht na qet prej situate të gjithëve. Këto raste ndodhin, mirëpo për mos me ndodh këto raste, ne nuk duhet të merremi me pasojat”, u shpreh Shala.
Se kjo tryezë debati ishte i një rëndësie të veçantë për studentët e Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB, u pa edhe në fund të panelit ku studentët parashtruan shumë pyetje, të cilave iu përgjigjen mysafirët nga institucionet e rendit dhe drejtësisë në vend.