Në Kolegjin AAB u promovua libri “Kultura politike e Kosovës” i autorit Behar Haziri

12 Janar 2018

Libri “Kultura politike e Kosovës”, është një libër studimor nga fusha e Shkencave Politike, ku në qendër të studimit ka analizën e sjelljes, qëndrimit, besimit dhe vlerave të qytetarit kundrejt institucioneve dhe të pjesëmarrësve politikë që janë të kyçur brenda institucioneve politike në Kosovë.

Në promovimin e këtij libri, që u mbajt në Qendrën Mediale Universitare të Kolegjit AAB, folën edhe recensentët e librit Martin Berishaj e Ali Pajaziti. Ata thanë se rëndësia e këtij studimi shkencor është qasja që problemi i analizës shtrohet nga analiza empirike, si një nevojë e domosdoshme për të shpjeguar çështjet serioze dhe shumë komplekse të sistemit politik.

Ky libër paraqet një vepër të veçantë për kontekstin shqiptar që merret me një subjekt të veçantë atë të kulturës politike dhe demokracisë konsociative. Libri trajton edhe një terminologji jashtëzakonisht relevante për shkencat politike, si demokracia e shumicës, demokracia cetripetale, cetrifugale, kultura politike homogjene e heterogjene, etj. gjithmonë duke u ndalur te konsteksti kosovar i fragmentarizuar kulturalisht, politikisht dhe në baza partiake.

Në fund të promovimit të librit studentët patën mundësi të bënin pytje, ku përgjigjet e tyre i morën nga vet autori i librit Behar Haziri.

Share: