Në prani të studiuesve, dashamirësve të librit dhe studentëve, sot në Kolegjin AAB u bë promovimi i librit më të ri të autorit Sali Bashota “Asnjë zë tjetër”, botim i Shtëpisë Botuese AAB.
Për të folur për këtë libër i cili përmbanë 59 poezi, numër ky që përkon me moshën e shkrimtarit dhe vitin e lindjes, folën rektori i Kolegjit AAB, prof.dr. Lulzim Tafa si dhe prof. Besa Hoxha Beqiri.
Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, Lulzim Tafa, tha se individualiteti që poeti Bashota përçon tek lexuesit është i madh, ndërsa për veprën “Asnjë zë tjetër” tha se posedon origjinalitet.
“Sali Bashota shquhet për një zë unikat në poezinë shqipe. Individualiteti i tij theksohet edhe kur shkruan për atdheun, edhe kur shkruan për dashurinë, edhe kur shkruan per luftën, për Prishtinën, por edhe kur shkruan për miqtë e për familjen. Këtë origjinalitet të tij ai e thekson edhe në librin me poezi, “Asnjë zë tjetër”, tha rektori Tafa.
Për veprën “Asnjë zë tjetër”, foli edhe prof. Besa Hoxha Beqiri, ajo shtoi se në vargjet e Bashotës lexuesi gjen pjekurinë artistike të përdorimit të situatave të ndryshme, qoftë personale, shoqërore apo kombëtare.
“Bota krijuese e këtij poeti, të përkthyer në shumë gjuhë të botës, kurrorëzuar tanimë me përmbledhjen e tij të trembëdhjetë të poezive, pasurohet edhe më tepër me forma të reja të shkrimit poetik. Mozaiku i pasur i motiveve dhe strukturës së poezisë së tij në përmbledhjen “Asnjë zë tjetër”, sjell lojën poetike, me anë të shkronjave, qysh në titull, tek zëri, që paraqet atë të poetit”, tha Hoxha Beqiri.
Ndërsa, autori i veprës “Asnjë zë tjetër” Sali Bashota, falënderoi të gjithë të pranishmit dhe përkrahësit që e ndihmuan në realizimin e këtij libri. Ai shtoi se pa njërëzit e tij të ngushtë, nuk do të arrinte të finalizonte këtë vëllim të ri me poezi, duke falënderuar gjithashtu edhe Shtëpinë Botuese AAB për botimin e tij.