Në Kolegjin AAB u promovua libri “TRANZICIONI EKONOMIK – Një rrugëtim pa mbarim”

15 Prill 2016

Sot, në Kolegjin AAB, në Prishtinë, u bë promovimi i librit shkencor “TRANZICIONI EKONOMIK – Një rrugëtim pambarim” i autorëve prof. dr. Luljeta Minxhozi,  prof. dr. Arben Malaj dhe prof. dr. Selami Xhepa. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese Universitare “UET Press”, ndërkaq ka 365 faqe, sistemuar në tri pjesë: pjesa e parë “Tranzicioni ekonomik në Shqipëri,” i autores prof. dr. Luljeta Minxhozi;  pjesa e dytë “Politikat financiare gjatë tranzicionit 1992- 2014”, autor prof. dr. Arben Malaj dhe pjesa e tretë “Dy dekada histori të tregut financiar në Shqipëri”, autor prof. dr. Selami Xhepa.

Më këtë rast, në prani të studentëve, profesorëve dhe mysafirëve të tjerë,  dekani i Fakultetit Ekonomik në Kolegjin AAB, Medain Hashani, tha se është një privilegj i madh për këtë institucion, të cilin autorët e kanë zgjedhur që ta bëjnë promovimin e librit. Këndvështrimi ekonomik në Shqipëri dhe kalimi nga ekonomia e planifikuar në ekonominë e tregut, nga profesoresha Luljeta Minxhozi, pastaj politikat financiare gjatë tranzicionit 1992-2014, sukseset, dështimet, sfidat, borxhi publik 1992-2014, të trajtuara nga prof. Arben Malaj dhe rruga drejt adaptimit të Euros si monedha kombëtare e vendit, të trajtuara nga profesori Selami Xhepa, janë tema të cilat duhet të trajtohen edhe në Kosovë. Janë tema të domosdoshme dhe një mënyrë që të gjejmë një zgjidhje për tejkalimin të tranzicionin që është ende prezent në Kosovë”, theksoi dekani Hashani.

Autorja e librit prof. dr. Luljeta Minxhozi ka thënë se duhet kontribuuar të gjithë së bashku rreth një problematike që na shqetëson të gjithëve, ku studiuesit e rinj mundohen së bashku  për ta gjetur një model ekonomik, i cili do të na sjellë më shumë prosperitet që të ecim  përpara, dhe kjo është qasja jonë dhe e të gjithë studiuesve të shoqërisë. Sipas saj, në vitin 2015 ka pas studime të rëndësishme për t’u kuptuar a mbaroi tranzicioni, sa i gjatë është ky tranzicion apo kemi filluar të shkëputemi nga koha e komunizmit. “Pa mohuar ngjashmëritë me vendet e tjera të ish-bllokut komunist duhet thënë se Shqipëria ka ndjekur një rrugë në transformimin e ekonomisë. Është përpjekje e jonë e vazhdueshme që tranzicioni të ndërpritet, dhe ajo që kërkojmë ne sot është një strukturë e re ekonomike”, tha ajo.

Ndërsa prof. dr.  Selami Xhepa  ka thënë se nga momenti i rrëzimit të sistemit, sigurisht që kishte nevojë për një president të aftë  për  një shoqëri  të rëndësishme që në e kemi ëndërruar prej kohësh.

Në fakt  trajtimi i politikave fiskale gjithmonë ka treguar që në momente të caktuara ndoshta  mund të japin efekt për një plan më afatgjatë strategjik.  Unë mund të besoj që duke i kërkuar Qeverisë të zgjidhë punët për ne, e ne në fakt i delegojmë punë tona që të krijojmë varësi. Ajo në të cilën ndodhemi sot është pikërisht kjo, që duke i kërkuar Qeverisë të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve si papunësisë e shumë tjera me radhë, në vend që të kërkojmë reforma ne kemi krijuar një borxh, që sot është një nga problemet shqetësuese edhe për vendete e rajonit, kështu që nuk jam entuziast për politikat fiskale”, ka thënë dr. Xhepa, i cili ka theksuar se  ai sot  është idhënë pas politikave monetare, pas parasë së euros e jo për një para të dobtë siç është leku.

Libri në fjalë synon të paraqesë reformën ekonomike në Shqipëri, duke analizuar situatën aktuale dhe ndikimin e fuqishëm e të pashmangshëm të së kaluarës, avantazhet dhe disavantazhet e Shqipërisë, të përbashkëtat dhe të ndryshmet e këtij modeli reforme më atë të vendeve të tjera të Evropës Lindore. Në këtë libër janë trajtuar edhe faktorët politikë, institucionalë dhe ata të lidhur me mentalitetin, të cilët kanë ndikuar në këtë reformë ekonomike.

Kapitulli i parë tenton të analizojë pushtetin socialist, nën kushtet e të cilit u zhvillua ekonomia shqiptare dhe kushtet fillestare të trashëguara nga e kaluara, të ngjashëm me ato të vendeve të tjera të ish-bllokut komunist të Evropës Lindore. Kapitulli i dytë analizon vitet e para të reformës në ekonominë shqiptare, vështirësitë  dhe rezultate e para të këtij procesi, ndërsa kapitulli i tretë synon të vë në dukje disa aspekte të rëndësishme të realitetit ekonomik në Shqipëri, të cilat e bëjnë transformimin e ekonomisë së këtij vendi, të jetë i ndryshëm nga ai i vendeve te tjera të Evropës Lindore. 

Në fund të promovimit të librit u zhvillua një debat mjaft interesant në mes të studentëve dhe autorëve të librit, ku kryesisht u debatua përmbajtja e librit dhe me theks të veçantë u debatua për tranzicionin shqiptar.   

Share: