Në Kolegjin AAB i mbylli punimet Simpoziumi I “Qasja bio-psiko-sociale ndaj problemeve të shëndetit mendor”

7 Prill 2017

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Shëndetit, në një ceremoni solemne, në Kolegjin AAB mbylli punimet Simpoziumi I,me temën “Qasja bio-psiko-sociale ndaj problemeve të shëndetit mendor”, i organizuar nga Instituti AAB,Fakulteti i Infermierisë, i Psikologjisë, dhe ai i Shkencave Sociale të Kolegjit AAB, me përkrahje të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast, Rektori i Kolegjit AAB, z. Lulzim Tafa, tha se tema e kësaj Konference është një temë shumë e rëndësishme dhe organizohet me rastin e 7 prillit,Ditës Botërore të Shëndetësisë, për të kujtuar përvjetorin e themelimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Kjo na ofron një mundësi unike për të mobilizuar veprimet rreth një teme të veçantë shëndetësore që shqetëson njerëzit në të gjithë botën”, tha ai.

Rektori Tafa theksoi se me organizimin e këtij Simpoziumi, Fakulteti i Infermierisë, i Psikologjisë dhe ai i Shkencave Shoqërore të Kolegjit AAB mëtojnë të promovojnë ndryshime pozitive shoqërore në fushat e tyre relevante.

“Fakulteti i Infermierisë synon avancimin teorik dhe praktik të infermierëve në vend për t’i pajisur me kompetenca relevante profesionale konform kërkesave të tregut të punës. Ndërsa Fakulteti i Psikologjisë ka për qëllim të përkrahë dhe nxitë vetëdijesimin e shoqërisë në përgjithësi dhe të individëve në veçanti për mirëkuptim dhe inkluzivitet të atyre që kanë nevojë për ndihmë apo vetëm ofrim mundësie të shprehen siç janë. Ky Simpozium nuk do ta kishte rëndësinë e duhur po të mos përfshihej edhe sfera sociale, ku Fakulteti ynë i Shkencave Sociale, ka për synim ndërgjegjësimin e përparuar shoqëror, duke ofruar gjithëpërfshirje të të gjitha komuniteteve dhe kategorive shoqërore në vend, duke respektuar specifikat individuale dhe të komuniteteve si tërësi”, deklaroi ai.

Rektori Tafa tha para të pranishmëve se për një dekadë e gjysmë të themelimit, Kolegji AAB është bërë qendër e rëndësishme akademike e shkencore, jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon e më gjerë.

“AAB vazhdon ta fuqizojë rolin e vet të rëndësishëm në mesin e komunitetit akademik duke i ofruar tregut të punës kuadro të kualifikuara dhe kompetente për t’u përballur me nevojat dhe sfidat me të cilat përballet. Ne në AAB organizojmë shumë konferenca shkencore dhe ne vazhdimisht e ritheksojmë se shkenca përbën faktorin themelor, tejet të nevojshëm, për të përballuar sfidat e mëdha që na presin ne si vend në një Evropë të integruar dhe konkurruese. Komponenti shkencor është i domosdoshëm, jo vetëm për ne si Institucion arsimor por edhe si shoqëri dhe shtet ku pretendojmë ta kemi një vend të merituar. Shkencës dhe rolit që ka ajo në përgjithësi, ne si institucion i arsimit të lartë i kemi kushtuar rëndësi të veçantë duke krijuar, ngritur e avancuar kapacitetet tona të brendshme për të avancuar këtë komponent”.

Ndërsa, zv.ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Izet Sadiku, në fjalën e tij tha se një ndër problematikat më të mëdha të shëndetit global është depresioni, ku sipas tij, vetëm në dekadën e fundit, numri i të prekurve nga kjo sëmundje është rritur 20%.

“Kjo është arsyeja pse Organizata Botërore e Shëndetësisë këtë vit i ka kushtuar kësaj problematike, e cila sot është edhe temë e këtij Simpoziumi dhe konsideroj se ky Simpozium do të flasë për depresionin, ku do ta trajtojë këtë problematikë në mënyrë profesionale”, tha ai.

Zv.ministri Sadiku tha se MSH-ja është e interesuar që të përkrahë iniciativa të tilla, për arsye se, vazhdon siç thotë ai, njëra prej kritereve për menaxhimin e kësaj problematike që sot është problematikë globale, është edhe trajnimi i burimeve njerëzore.

“Konsideroj se Simpoziumi i sotëm do të krijojë mundësinë për një trajnim shkencor të punëtorëve shëndetësorë dhe trajnimet e këtij Simpoziumi do të jenë bazë edhe për institucionet e tjera shëndetësore për të qenë bazë e punës së tyre në të ardhmen për trajtimin e kësaj problematike që sot është problematikë globale”, tha zv.ministri i MSH-së, Izet Sadiku.

Ndërkaq, Këshilltarja e Kryeministrit, Mybera Mustafa tha se kabineti i Qeverisë së Kosovës, duke pasur si top-prioritet zhvillimin ekonomik të Kosovës, është shumë i vetëdijshëm se mënyra që një shtet të zhvillohet në shumë dimensione, edhe në aspektin ekonomik, duhet kushtuar rëndësi të veçantë sistemit arsimor.

“Jemi të vetëdijshëm se me një cilësi të lartë të arsimit dhe aftësimit të gjeneratave të reja, vendi ynë do të ketë zhvillim dhe rritje ekonomike të qëndrueshme. Kabineti i Kryeministrit të Kosovës i mbështet fuqishëm synimet për një arsim modern dhe cilësor për gjeneratat tona të reja, në mënyrë që kjo fuqi e re njerëzore që posedon Kosova, të perfeksionohet dhe të konkurrojë me kualitet,e jo vetëm me kuantitet. Përmes cilësisë së arsimit, ne zhvillojmë ekonominë tonë, krijojmë vende të reja pune dhe në përgjithësi bëhemi konkurrent në rajon dhe më gjerë. Konferenca e sotme është një komponentë e edukimit dhe arsimit të kohës moderne, e cila ofron mundësi që pjesëmarrësit, duke përfshirë mësimdhënësit si dhe studentët të takohen, të shkëmbejnë përvojat e tyre edukative në lidhje me shëndetin mendor, që është temë bosht e kësaj Konference, por edhe nga temat e tjera interesante nga fusha e shëndetësisë”, u shpreh ajo.

Këshilltarja Mustafa theksoi se Kolegji AAB, që nga themelimi e deri më sot, me hapa të shpejtë po shkon drejt ngritjes së cilësisë, e kjo sipas saj, shihet si për nga kushtet komode në objektet moderne që posedon ky Kolegj, po ashtu edhe në rangimet ndërkombëtare, duke treguar një sukses të jashtëzakonshëm.

Në këtë ceremoni solemne të hapjes së punimeve të këtij Simpoziumi kishte edhe përfaqësues të universiteteve nga Shqipëria.

Rektori i Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, Skënder Topi, në fjalën e tij tha se të

arriturat në këtë Simpozium duhet të botohen dhe të përcillen në strukturat përkatëse nëpër ministri dhe pastaj edhe në institucionet shëndetësore, për t’u shërbyer njerëzve në terren.

Ai foli edhe për bashkëpunimin me Kolegjin AAB që kishte më herët në organizimin e konferencave kërkimore të përbashkëta si dhe për marrëveshjen të cilën e nënshkruan sot.

“Universiteti ynë ka mbi 200 marrëveshje ndërkombëtare dhe kjo është marrëveshja e parë me një universitet privat. Dikush mund të mendojë, pse këto vlerësime? Vlerësimet tona si strukturë akademike janë të lidhura me atë çfarë bën Kolegji AAB. Ka shumë universitete private, respekte, por ne menduam me vlerësimin që kemi bërë, të raporteve që kemi me stafin akademik, me strukturat e këtij universiteti, menduam që të bëjmë një marrëveshje bashkëpunimi, e cila do të konsistojë në mobilitetin e studentëve brenda universiteteve tona, të nivelit Baçelor, Master dhe Doktoratë nëse do të jetë nevoja”, tha Rektori Topi.

Ndërkaq, Kryetari i Bordit të Licencimit në MSH, Hysni Bajrami, në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetësisë, theksoi se simpoziumet e tilla janë një ndihmesë për të kuptuar shqetësimet e njerëzve në përgjithësi, por njëherësh edhe ndihmë për Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ju nuk duhet shumë të brengoseni, e kuptoj brengën e juaj, pasi keni pasur një ngecje. Ju përgëzoj për përpjekjet që keni bërë për një proces, i cili është ndihmë edhe për Ministrinë e Shëndetësisë,” tha Bajrami.

Në hapje të kësaj Konferencë pati edhe përfaqësues të universiteteve të tjera nga Shqipëria, të cilët përgëzuan Kolegjin AAB për këtë Simpozium.

Në fund të ceremonisë hapëse, u nënshkrua edhe Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Kolegjit AAB dhe Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.

Komiteti shkencor i Simpoziumit I“Qasja bio-psiko-sociale ndaj problemeve të shëndetit mendor”,shpërbleu tre prezantimet më të mira orale si dhe njërin nga 20 poster prezantimet pjesëmarrëse.

Simpoziumi është akredituar nga Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, ku pjesëmarrësit aktiv në Simpozium morën nga 20 pikë, përderisa pjesëmarrësit pasiv nga 15 pikë kredituese./GazetaKNN.

Share: