Në prag të Festës së 8 Marsit, Down Syndrome Kosova vjen në AAB me kartolina të reja

4 Mars 2020

Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për kontributin ndaj shoqërisë, Kolegji AAB ka hapur dyert sërish për Shoqatën “Down Syndrome Kosova”.

Në prag të Festës së Gruas, 8 Marsit, anëtarët e kësaj shoqate, në kuadër të së cilës funksionon programi për aftësim profesional, kanë sjellë në AAB kartolinat e punuara nga ta, të cilat po blihen me interesim të theksuar  nga studentët dhe stafi akademik.

Marigona Kozmaqi, e cila punon si vullnetare në Down Syndrome Kosova, u shpreh e lumtur me gatishmërinë e Kolegjit AAB për këtë bashkëpunim që ka për qëllim edhe sensibilizimin e shoqërisë ndaj personave të prekur me sindromin down dhe veçanërisht për punën e tyre.

“Nuk është hera e parë kjo që Kolegji AAB na i hap dyert për bashkëpunime të këtilla. Këtu tashmë ndjehemi si në shtëpinë tonë dhe jemi shumë të kënaqur që këto produkte po pëlqehen dhe po blihen nga studentët dhe stafi juaj”, tha Kozmaqi.

Dionis Ferataj dhe Qëndresa Sadiku pritën gjatë ditës së djeshme studentë dhe bashkëmoshatarë të tyre për të kontribuar në blerje të produkteve që janë përgatitur nga shokët dhe shoqet me “down syndrome”.

Produktet të cilat po ofrohen nga Shoqata “Down Syndrome Kosova” janë kartolina dhe xhem mjedrash, të përgatitura me shumë dashuri nga personat me sindromën down.

Ky aktivitet do të vazhdojë edhe sot.

Share: