Në shënim të Ditës Olimpike Ndërkombëtare, studentët e AAB-së u ngjitën në Malet e Sharrit

23 Qershor 2022

Fakulteti i Kulturës Fizike dhe Sportit në Kolegjin AAB ka shënuar 23 Qershorin, Ditën Olimpike Ndërkombëtare, duke u ngjitur në Malet e Sharrit. Destinacioni i shtegut nëpër të cilin kaluan ishin Malet e Sharrit dhe Liqeni i Jazhincës, liqen ky me një lartësi mbidetare prej 2180m, ku ngjitja në këtë terren llogaritet mesatarisht e vështirë. Shtegu ishte i gjatë 16 km dhe ecja zgjati gjithsej 6 orë. Studentët shijuan pamjet e maleve të dendura, natyrën, ujëvaret, etj.

Në ekspeditën e organizuar me këtë rast, e që për Kolegjin AAB tashmë ka kaluar në traditë të përvitshme, morën pjesë profesorë dhe studentë të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit. Këtë vit ky aktivitet u mbështet edhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Shënimi i Ditës Olimpike Ndërkombëtare me ngjitje në Malet e Sharrit ishte edhe një paralajmërim për sfidën dhe ekspeditën e radhës, sepse në muajin korrik studentët e Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Sportit do të përshkojnë majën më të lartë në Alpet Shqiptare, Majën e Gjeravicës me lartësi mbidetare 2,656 metra.

Share: