I mbylli punimet Konferenca Shkencore Ndërkombëtare nga fusha e komunikimeve, organizuar nga Universiteti Bedër dhe Kolegji AAB

15 Dhjetor 2016

Përfundoi punimet Konferenca shkencore ndërkombëtare nga fusha e komunikimeve “Sfidat e transmetuesve lokalë dhe rajonalë përballë qasjes online të shërbimeve të tyre”,organizuar për të dytën herë me radhë nga Universiteti Bedër, në bashkëpunim me Fakulteti i Komunikimit Masive i Kolegjit AAB, dhe me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit i Universitetit të Tiranës si dhe me Autoritetin e Mediave Audiovizuele i Shqipërisë (AMA).

Me rastin e hapjes së punimeve, u lavdërua bashkëpunimi në mes të dy institucioneve, ku u tha se bashkëpunime të suksesshme janë ato që i rezistojnë kohës, prandaj i tillë është edhe bashkëpunimi Bedër me AAB.

Prorektori për shkencë, i Kolegjit AAB, dr. Hasan Saliu, në hapje të konferencës ndër të tjera tha: “Ne konsiderojmë se bashkëpunimi Prishtinë-Tiranë është shumë i rëndësishëm në veçanti në fushën e medias, sado që ky bashkëpunim nuk është në nivelin e duhur në kohën e pritshmërive të mëdha, në kohën kur nuk kemi asnjë pengesë për ta thelluar edhe më shumë këtë bashkëpunim.

Bashkëpunimi në mes të dy qendrave dhe institucioneve kërkimore veçanërisht në fushën e mediave është shumë i rëndësishëm, sepse televizionet përveç aspektit struktural funksionalist duhet shikuar edhe si konsum produkti, dhe duke qenë kështu ne në Kosovë konsumojmë shumë televizionet e Shqipërisë dhe nga ky aspekt duhet parë që ky bashkëpunim duhet thelluar edhe më shumë”, theksoi Saliu.

Ndërsa prof. Mark Marku, nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit i Universitetit të Tiranës, në fjalën e tij tha se kjo konferencë është shumë e rëndësishme sepse është pjesë e një procesi që AMA ka hapur prej dy vitesh, dhe lidhet me një transformim shumë të rëndësishëm që ndodhë në sistemin mediatik të një vendi, që lidhet me ndryshimin teknologjik por që sjell të gjithë transformimin e sistemit të komunikimit të mediave dhe të komunikimit në shoqëri .

Kurse, Ramadan Çipuri, kryetar i konferencë, tha se me AAB-në kanë një bashkëpunim të mirë në organizmin e konferencave, dhe sot ndihet i nderua në cilësinë e bashkorganizatorit.

Përveç seancës plenare punimet e konferencës u zhvilluan në disa sesione paralele, ku prezantuan një numër i madh i pjesëmarrës – akademikë dhe profesionistë të fushave përkatëse, në mesin e të cilëve edhe anëtarë nga stafi akademik të Kolegjit AAB, të cilët dhanë kontributin e tyre me punimet dhe gjetjet e tyre shkencore dhe me debatet e zhvilluara në kuadër të konferencës.

Në seancën përmbyllëse u dhanë edhe konkluzionet e konferencës, ku ndër tjera u tha se konferenca ka parashtruar probleme që kanë të bëjnë me çështjen e përmbajtjes së ofruar nga mediet, infrastrukturën fizike dhe burimet njerëzore, përshtatshmëria e tyre me risitë që mundëson interneti, diskutimet mbi lirinë e shtypit, statusin e gazetarit lokal, raportet me aktorët e brendshëm dhe të jashtëm etj.

Përmbyllja e suksesshme e konferencës shërbeu edhe si një urë lidhëse midis studiuesve nga vende të ndryshme dhe u shkëmbyen eksperienca dhe u krijua një rrjet për bashkëpunime të mëtejshme.

Share: