Përfundoi punimet Konferenca shkencore e studimeve të komunikimit dhe medieve, “Media mes informacionit masiv dhe marrëdhënieve me publikun”, organizuar nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës dhe Fakulteti i Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB. Kjo konferencë kishte për qëllim të bëjë bashkë studiuesit e komunikimit masiv dhe mediave nga viset mbarëshqiptare dhe më gjerë, për të prezantuar gjetjet e kërkimeve të tyre mediatike, të shkëmbejnë përvoja, ide dhe të diskutojnë për çështje të tjera relevante shkencore dhe profesionale.
Shefi i Departamenti të Gazetarisë dhe Komunikimit i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Mark Marku, në hapjen e punimeve të konferencës, tha se konferenca ka qasje akademike të problematikës që nuk është vetëm shqiptare, por edhe globale. “Sigurisht që qasja juaj akademike ndaj temës së konferencës do të rezultojë edhe me botimin e punimeve të konferencës, e cila do të ketë ndikim jo vetëm për studentët dhe pedagogët, por për të gjithë punonjësit e medias dhe për të gjithë opinionin publik që janë të interesuar të kenë informacion për këtë çështje”, tha Marku.
Ndërsa, prorektori për Shkencë në Kolegjin AAB, dr. Hasan Saliu, në hapje të konferencës tha se të dy institucionet, si Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, ashtu edhe Fakulteti i Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB, kanë bashkëpunuar edhe me herët në organizimin e konferencave shkencore. “Në saje të këtij bashkëpunimi, një konferencë e tillë shkencore e kemi mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë me rastin e 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe një tjetër, në vitin 2015, në Kolegjin AAB në Prishtinë, në bashkëpunim edhe me shkollën më të vjetër për gazetari Ecole Superieure de Journalisme të Parisit dhe IPAG School ku bashkëpunimi ynë ka qenë shumë i frytshëm”, tha Saliu.
Kurse, dekanja e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, prof. dr. Valentina Duka, tha se e kemi bërë traditë që konferencat t’i organizojmë me bashkorganizatorë, dhe jo vetëm të dëgjojmë njëri- tjetrin, por të ndajmë ide edhe jashtë Shqipërisë. “Kolegji AAB është ndër kolegjet më të mira private në Prishtinë, i cili na është bashkëngjitur në këtë konferencë”, tha ajo.
Punimet e konferencës u zhvilluan në tre sesione si: “Mpleksja mes informacionit dhe marrëdhënieve publike në media”, “Marrëdhëniet me publikun të institucioneve” dhe sesioni i tretë “Evoluimi i marrëdhënieve mes informacionit masiv dhe MP, taktikat dhe format e reja”. Në tre sesione kanë prezantuar një numër i madh i pjesëmarrësve – akademikë dhe profesionistë, në mesin e të cilëve edhe anëtarë nga stafi akademik i Kolegjit AAB, si: dr. Hasan Saliu, Ilire Zajmi, Naile Demiri etj., të cilët dhanë kontributin e tyre me punimet dhe gjetjet e tyre shkencore. Në konferencë morën pjesë edhe një grup i studentëve të Komunikimi Masiv të Kolegjit AAB.