Në Kolegjin AAB është nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi mes Fakultetit Juridik, i përfaqësuar nga Dekani Prof. Ass. Dr. Veton Vula, dhe Kompanisë Këshilldhënëse “Checchi and Inc.”, implementues i Programit të USAID, Drejtësia Komerciale, përfaqësuar nga drejtori i këtij Programi z. Christopher Thompson.
Memorandumi ka për qëllim vendosjen e bashkëpunimit në mes palëve nënshkruese në fushën e promovimit dhe avancimit të drejtësisë komerciale, përkatësisht bashkëpunimit në aktivitete ku studentëve të vitit të III-të dhe të IV-të të Fakultetit Juridik të Kolegjit AAB, iu ofrohet mundësi që të jenë pjesë e punës teorike dhe simulimeve praktike të ndërmjetësimit si mekanizëm alternativ i zgjidhjes së kontesteve.
Programi Drejtësia Komerciale është një iniciativë pesë-vjeçare e financuar nga USAID për të zvogëluar mundësitë për korrupsion dhe për të përmirësuar perceptimin e bizneseve dhe publikut për korrupsionin duke përmirësuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare, përmbarimin dhe nxitjen e të kuptuarit të proceseve që rrisin investimet dhe promovojnë rritjen ekonomike në Kosovë. Ndër tjera, Programi promovon zgjerimin e mundësive dhe mbështetjen e mekanizmave alternativ të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në Kosovë. Qëllimi i Programit është gjithashtu të angazhojë të rinjtë në mënyrë më aktive në Zgjidhjen Alternative të Kontesteve.