Nënshkruhet memorandum bashkëpunimi ndërmjet Qendrës së Debatit dhe Fakultetit të Komunikimit Masiv

14 Shkurt 2020

Në Kolegjin AAB u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit të Komunikimit Masiv të Kolegjit AAB dhe Qendrës së Debatit (Debate Center).
Përmes marrëveshjes së nënshkruar nga Dekani i Fakultetit të Komunikimit Masiv, Dr. Sc. Resul Sinani dhe përfaqësuesi i Qendrës së Debatit, Erblin Hoxha, studentët e Kolegjit AAB tashmë do të kenë mundësi të reja për aftësim profesional përmes gazetarisë hulumtuese në fushën e të drejtave të njeriut, por edhe në zhvillimin e mendimit kritik.

Qëllimi kryesor i nënshkrimit të memorandumit ndërmjet Fakultetit të Komunikimit Masiv dhe Gazetarisë të AAB-së dhe Qendrës së Debatit është kultivimi i vlerave demokratike përmes debatit për nocionet më themelore të tolerancës, bashkëpunimit dhe të drejtës së shprehjes. Bashkëpunimi do të realizohet në disa fusha si: punëtori trajnimi profesional në gazetarinë hulumtuese, të drejtat e njeriut dhe edukimi mediatik; krijimi dhe shfaqja e videove për çështjet kryesore që lidhen me të drejtat e njeriut dhe gazetarinë; organizimi diskutimeve për çështjet kryesore që lidhen me të drejtat e njeriut dhe gazetarinë hulumtuese.

Qendra e Debatit do të ofrojë mbështetje profesionale dhe teknike për studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv, në zhvillimin e materialeve që për temë kanë të drejtave të njeriut (artikuj ose video reportazhe). Qendra e Debatit është Organizatë Joqeveritare e cila është themeluar nga Programi i Debatit të Lëvizjes FOL.

Share: