Nisi dhe po zhvillon punimet suksesshëm, Konferenca Shkencore për Gjuhësi, Letërsi dhe Edukim, ICLLE 2019, në Kolegjin AAB

7 Shtator 2019

Mbi 60 studiues nga vendi e rajoni janë mbledhur sot në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare për Gjuhësi, Letërsi dhe Edukim, organizuar nga Fakulteti i Gjuhës Angleze dhe ai i Shkencave Sociale ne Kolegjin AAB dhe në partneritet me Pedagogical University of Krakow, Poloni, Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Shqipëri, dhe Universitetin “St. Kliment Ohridski” nga Maqedonia e Veriut.

Në hapje të kësaj konference dekanja e Fakultetit të Gjuhës Angleze, Dr.sc. Aida Alla përshendeti pjesëmarrësit dhe shtoi se kjo konferencë e organizuar nga AAB këtë vit bashkon studiues e praktikues  në fushën e gjuhësisë, letërsisë dhe edukimit me qëllim prezantimin e gjetjeve të tyre shkencore e akademike që lidhen me temat përkatëse të konferencës.

“Kolegji AAB është shndërruar në një qendër kërkimore dhe një mjedis të rëndësishëm shkencor për gjuhëtarë dhe studiues vendorë e ndërkombëtarë, të cilët po ndërtojnë ura bashkëpunimi në rajon dhe më gjerë. Deri më tani, janë shkëmbyer tema të ndryshme gjuhësore me objektiva dhe qasje të ndryshme tematike, duke filluar nga studimi i gjuhës në kontekste edukative, deri tek roli shoqëror i tyre”, shtoi Alla.

Ndërsa, prorektori për shkencë në Kolegjin AAB, Prof.ass.dr. Hasan Saliu theksoi se kërkimi shkencor në Kolegjin AAB është domosdoshmëri e punës dhe funksionimit të këtij kolegji me qëllim të ngritjes së cilësisë së arsimit të lartë.

“Kjo konferencë është njëri ndër segmentet e përkushtimit jo vetëm për rrjetëzimin dhe shkëmbimin e përvojave akademike e hulumtuese të pjesëmarrësve, por, edhe për të dhënë kontributin e vetë shoqërisë. Kërkimi shkencor në Kolegjin AAB është një domosdoshmëri e punës së përditshme këtu”, shtoi mes tjerash Saliu.

Hapjen e konferencës e përshëndeti edhe dekanja e Fakultetit të Edukimi në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Shqipëri, prof. Griselda Abazaj Dangolli e cila tha se ndihet e nderuar që është prezente dhe bashkorganizatore në një ngjarje kaq të rëndësishme akademike.

Ndërsa, përfaqësuesja nga e universitetit partner nga Maqedonia e Veriut, prof.Silvana Neshkovska, në fjalën e saj hapëse të konferencës tha se shpreson që ky bashkëpunim në këtë projekt të përbashkët, të zgjerohet edhe në fusha të tjera në mes universiteteve partnere.

Konferenca për Gjuhësi, Letërsi dhe Edukim ICLLE 2019 do të shërbejë si një urë lidhëse midis studiuesve nga vendi dhe bota për të shpalosur gjetjet e tyre dhe për të shkëmbyer eksperiencat e përdorimit të metodave më bashkëkohore hulumtuese në fushat përkatëse. Konferenca është e ndarë në katër sesione ndërsa në secilin prej tyre do të prezantohen dhjetëra punime të pjesëmarrësve të këtij edicioni.

Share: