Prishtinë, 09.10.2019
Nga sot deri më 12 tetor 2019, Kolegji AAB do të jetë nikoqir i rreth 50 shtëpive botuese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Franca, etj. në kuadër të edicionit të dytë të Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019.
Në ceremoninë hapëse të këtij edicioni, Prorektori për Kërkim Shkencor në Kolegjin AAB, prof.dr. Hasan Saliu tha se Panairi Vjeshtor i Librit AAB 2019, ka për qëllim që në mjediset universitare të bëjë bashkë botuesit dhe lexuesin: “Ne këtu në AAB kemi një qytet të tërë lexuesish, rreth 20 mijë sish që janë studentë e staf akademik”.
Saliu theksoi se pavarësisht asaj se libri fizik (ai në letër) po konkurrohet gjithnjë nga ai elektronik, megjithatë ne nuk e shohim si kërcënim por si palë bashkëvepruese. “Kolegji AAB si institucioni arsimor më i dixhitalizuar në rajon, vazhdon të organizojë ngjarje të këtilla të ekspozimit masiv të formatit tradicional të librit”, tha Saliu.
Tradita e organizimit të Panairit të Librit u vlerësua shumë edhe nga drejtoresha e Drejtorisë se Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli, e cila tha se kjo ngjarje është e rëndësishme sepse kthen vëmendjen te bibliotekat dhe te leximi, që është lanë anash dhe kjo na kujton se sa e rëndësishme është t’ i kthehemi librit për zhvillimin tonë mendor, psikologjik, emocional e kreativ.
“Kultura dhe arsimi janë dy shtylla shumë të rëndësishme për zhvillimin e një shoqërie, andaj organizimi i një panairi të librit në një ambient universitar është një gërshetim shumë i mirë është një aktivitet shumë i nevojshëm dhe i mirëseardhur”, tha Basholli.
Në emër të Shoqatës së Botuesve të Kosovës, foli sekretari i shoqatës, z.Arbër Rrahmani.
“Një organizim i këtillë është për të mirën e shëndetit të librit. Çdo organizim aty ku janë botuesit, aty ku janë studentët është në të mirën e shoqërisë sonë. Libri ka nevojë të jetë sa më afër lexuesit” tha Rrahmani, i cili falënderoi Kolegjin AAB dhe të gjithë botuesit që marrin pjesë, dhe të gjithë ata që tregojnë interesim të shtuar për librin në përgjithësi.
Ceremonia solemne e hapjes së Panairit Vjeshtor të Librit AAB 2019, u përcoll edhe me një program artistik nga pianistja Elizabetë Qarri dhe sopranoja Arta Jashari.
Panairi do të jetë i hapur çdo ditë deri më 12 tetor, nga ora 08.00-18.00. Krahas ekspozimit dhe shitjes së librave me çmime speciale për studentë, në kuadër të programit të këtij edicioni do të bëhet edhe promovimi i dhjetëra titujve të rinj.
Kolegji AAB për të gjithë dashamirët e librit, ka siguruar edhe transport falas nga qyteti deri në kampus dhe anasjelltas.